Shendet

Pse gratë shtatzënë duhet të marrin vaksinë mARN?

Një kategori personash në rrezik nga variantet e reja dhe ku është tepër i rëndësishëm vaksinimi, janë edhe gratë shtatzëna. Të dhënat e fundit dokumentojnë një rritje të shtrimeve në spital për gratë shtatzëna të pa vaksinuara. Ditët e fundit, Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, një pikë referimi për mbrojtjen e shëndetit, kanë përditësuar udhëzimet që rekomandojnë vaksinën kundër Covid-19 në shtatzëni, duke theksuar se kështu mund të tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm.
"Udhëzimet më të fundit ndërkombëtare, nga ato të Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve në ato të Kolegjit Mbretëror Anglez të Obstetërve dhe Gjinekologëve, rekomandojnë vaksinimin kundër Covid-19 për gratë shtatzëna, pasi infeksioni përparon më shpejt,” shpjegon Enrico Ferrazzi, profesor i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Universitetin e Milanos.
Mjeku shton se ashpërsia e sëmundjes infektive mund të ndikojë edhe në lindje të parakohshme ose në zhvillimin e sëmundjeve të tjera. Sipas tij rreziku absolut, për fat të mirë, mbetet i ulët, por nuk duhet të anashkalohet se rreziku që gratë mund të kalojnë në kujdesin intensiv është më i lartë, veçanërisht në rastin e sëmundjeve të tjera shoqëruese si diabeti dhe hipertensioni.
Mbrojtje edhe për të porsalindurit
Të dhënat e fundit nga CDC shpjegojmë se gratë shtatzëna nuk janë përfshirë në provat e vaksinave kundër Covid-19, por që studimet e publikuara deri më tani dhe vëzhgimet tek mbi 220 mijë gra shtatzëna të vaksinuara nuk kanë zbuluar probleme sigurie për nënën dhe fëmijën. Megjithatë ekspertët këshillojnë se tek gratë shtatzëna duhet të jepen vaksina mARN, Pfizer dhe Moderna, të cilat nga pikëpamja biologjike nuk kanë efekte në placentën ose fetusin sepse sekuencat ARN degradohen shpejt pa depërtuar në bërthamën e qelizës. “Antitrupat e fituar nga nëna transferohen tek fëmija i pa lindur, e kështu ata do të jenë të sigurte për muajt e parë të jetës,” thotë udhëzimi.
Gratë shtatzëna janë po ashtu të kërcënuara nga varianti Delta dhe ekspertët e shëndetit duhet të adresojnë udhëzimet shëndetësore të sakta për to. Një studim i fundit nga Universiteti i Oksfordit, i financuar nga Instituti Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për Kërkime Shëndetësore, konfirmon se gratë shtatzëna janë më të prekura nga varianti Delta. Nëse në valën e parë 24% e grave shtatzëna të shtruara ishin në gjendje serioze. Më pas rastet në gjendje të rëndë u rritën në 36% me variantin Alpha dhe 45% me Delta.
Burimi:La Repubblica/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë