Shendet

A është vaji i kanabisit një produkt magjik?

Alex Williams/ NY Times - Është e vështirë të thuash kohën e saktë kur CBD-ja, derivati aq trendy i kanabisit, kaloi nga një alternativë për përdoruesit tek një ilaç aq popullor.
Ndoshta ndodhi në janar, kur artistja Mandy Moore, disa orë përpara çmimeve “Golden Globes”, rrëfeu për “Covetour”, se po eksperimentonte me vajin e kanabisit, për të qetësuar dhimbjen, që i shkaktohej nga  mbajtja e këpucëve me takë, për një kohë të gjatë. “Mund të jetë një mbrëmje aq emocionuese”, thoshte ajo. “Mund të pluskoj këtë vit.” Ose ndoshta ishte në korrik, kur Willie Nelson prezantoi një linjë të kokrrave të kafesë, përzier me CBD, të quajtura “Kura e Willie”-it. “Janë dy nga të parapëlqyerat e mia, sëbashku, në një kombinim të përsosur”, ka thënë ai në një deklaratë. Ose ndoshta ndodhi në fillim të tetorit, kur Dr. Sanjay Gupta i bëri një përshkrim profesional CBD-së, në emisionin “The Dr. Oz Show.” “Mendoj se kemi të bëjmë me një mjekim legjitim”, tha ai. “Po flasim rreth diçkaje që mund t’i ndihmojë vërtet njerëzit.” Pyetja tani shtrohet: A është ky agimi i një eliksiri mrekullibërës apo i gjithë ky publicitet tregon se kemi arritur majën e CBD-së? Sidoqoftë, do të ishte e vështirë të përshkruhej një balsam tjetër i momentit, për një komb në skaje. Me propozuesit që pretendojnë se CBD-ja trajton probleme të ndryshe si inflamacioni, dhimbjet, aknet, ankthi, pagjumësia, depresioni, stresi post-traumatik dhe madje, edhe kancerin, është e lehtë të pyesësh veten nëse i gjithë ky kushëri natyral, jo-psikotrop dhe gjerësisht i gjindshëm, i marihuanës përfaqëson një kurë për vetë shekullin 21.

Cannabidioli po shitet si eliksir magjik, një kurë për gjithçka; e disponueshme në kripërat për vaskë, vakte të vogla për qentë dhe madje edhe në produktet farmaceutike. Por mbase është thjesht një kurë për kohët e ankthshme, në të cilat jetojmë


“Këto kohë, CBD-ja është ekuivalentja kimike e Bitcoin-it, në vitin 2016”, ka thënë Jason DeLand, një ekzekutiv reklamash në Nju Jork dhe anëtar i bordit të “Dosist”, një kompani kanabisi në Santa Monika, Kaliforni, që prodhon stilolapsa me avull, mbushur me CBD. “ Është aq në modë kudo dhe, megjithatë, askush nuk e kupton.” Me CBD-në që shfaqet thuajse në gjithçka – tek topat e kripës për vaskë, akulloret, vaktet e vogla për qentë – është e vështirë të mbivlerësosh shpejtësinë me të cilën CBD-ja ka lëvizur nga margjinat, tek qendra kulturore. Një vit më parë, ishte e thjeshtë të mos ishe në dijeni të CBD-së. Tani, për të matur publicitetin, është sikur të gjithë befas kanë zbuluar jogën. Ose penicilinën. Ose mbase, oksigjenin. Edhe kështu, mund të pyesni, çfarë është CBD-ja? Shumë njerëz ende nuk e kanë një ide. CBD është shkurtimi për kanabidiol, një përbërës kimik i gjetur dendur në bimën e kanabisit. Ndryshe nga kushëriri më i famshëm kanabinoid, THC (tetrahidrokanabinol), CBD-na nuk ju bën dru. Por nuk është për të thënë se ndihesh krejt normal kur e përdor.

CBD rrjedh nga një kompani start-up me bazë në Nju Jork, i quajtur Plant People. Produkti pretendon se qetëson stresin, redukton dhimbjen dhe përmirëson aftësitë konjitive. Kredit: Jules Davies

Kanabis për jopërdoruesit
Përdoruesit flasin për reagim të trupit, ndryshe nga ato që alterojnë mendjen. “Fizikisht, është si të bësh një banjë të ngrohtë, që shkrin tensionin”, ka thënë Gabe Kennedy, 27 vjeç, themelues i “Plant People”, një kompani start-up në Nju Jork që shet kapsula dhe vajra CBD. “Është ekuilibruese; një ndjesi niveluese, qetësuese, kryesisht në trup dhe njëtrajtësim i përqendrimit mendor.” Duke e krahasuar me ndjesinë pas një meditimi të thellë apo një seance joge, z.Kennedy ka shtuar se shkëlqimi i CBD-së ka “efekte sinergjike”, në terma të lidhjeve shoqërore. “Rreth të tjerëve, e shoh veten më të pranishëm dhe të vëmendshëm, më krijues dhe të hapur.” Një bisedë thuajse religjioze është e zakontë mes dishepujve të CBD-së. “Jam mashkull 30 –vjeçar, që nuk kam përjetuar më asnjë ditë pa ankth në jetën time prej të rrituri”, shkruante një përdorues në një forum mbi CBD-në, në Reddit. “Thuajse tre javë më parë, nisa të marr vaj kanabisi 10 përqind dhe nuk mundem dot ta përshkruaj sesa mrekullisht ndihem, Për herë të parë në 15 vite, ndihem i lumtur të shoh përpara e të jetoj një jetë të gjatë.” Dëshmitarë të tillë e bëjnë CBD-në të duket si një kurë e përsosur për kohët tona. Çdo epokë kulturore, në fund të fundit, ka sëmundjen e vet psikologjike që e përkufizon. Kjo gjithashtu do të thotë se çdo epokë ka drogën e vet dalluese. Epoka e pasluftës, me strehimet kundër bombave në oborr dhe frikërat suburbane, sollën rritje dhe një bum të qetësuesve, siç shihet edhe në këngët popullore të epokës (“Mother’s Little Helper,” të Rolling Stones-ave) apo bestsellerëve (“Lugina e Kukullave” nga Jacqueline Susann).Epoka e recensionit të viteve ’90 i dha jetë angështisë së Gjeneratës X, muzika e përmortshme e Kurt Cobain-it dhe një obsesion kulturor me antidepresantët  (shihni Elizabeth Wurtzel me “Kombi Prozac: Të rinj dhe me depresion, në Amerikë.) Gjendja psikologjike që përkufizon të sotmen, sidomos mes brezit të lindur në mijëvjeçarin e ri, është ankthi: ankthi rreth mosfunksionimit tonë politik, ankthi rreth terrorizmit, ankthi rreth ndryshimit klimaterik, ankthi rreth borxheve të kredive studentore, madje edhe ankthi se inteligjenca artificiale po zapton të gjithë punët e mira. Ankthi ndihet edhe më akut qëkur gjenerata e teknologjisë së informacionit ndihet vazhdimisht e bombarduar nga arsye të reja për t’u frikësuar, falë pajisjeve inteligjente. “Je i mësyrë nga lajme të tmerrshme dhe nuk ke zgjidhje për të dalë jashtë saj”, thotë Verena von Pfetten, 35 vjeç, ish- drejtoresha digjitale e revistës “Lucky”, që është themeluese e “Gossamer”, një revistë e klasit të lartë e shënjestruar për shijuesit e kanabisit. “Hap kompjuterin, kontrollon celularin, ke njoftime lajmesh.” Ç’kohë e volitshme për Nënën Natyrë, për të dhuruar një kurë qetësuese të përhershme, që duket se lidh shumë fije kulturore njëherësh: fiksimi ynë me kujdesin për veten dhe mirëqenien, popullariteti i terapive alternative dhe marshimi i pandalshëm i marijuanës së legalizuar. “Duket si një dhuratë, për këto kohë”, thotë znj.von Pfetten. 


Tosti i ri i Avokados
Cunami i produkteve të mbushur me CBD ka goditur kaq beftë dhe me aq forcë, sa tregtuesit e kanë të vështirë të gjejnë një analogji që i përputhet. Chris Burggraeve, një ish-ekzekutiv i Coca-Cola dhe Ab InBev, e ka quajtur atë “tosti i ri i avokados”, në një intervistë për “Business Insider”. Megjithatë, tosti i avokados duket si i pesë viteve të shkuar. Ndjekësit e modës, që kërkojnë gjënë e re, mund të duan të provojnë tostin me gjizë dhe mjaltë dhe CBD në “Chillhouse”; një kafene, sallon për thonjtë dhe studio masazhi, e gatshme për Instagram, në pjesën juglindore të Manahatanit. Dhe më pas të pushojnë në “Inscape NYC”, studio meditimi dhe refleksi në Çelsi, për t’u çlodhur me një dozë CBD, në seancat e së shtunës. Do të ishte e rreme të sugjerohej se CBD-ja nuk është asgjë më shumë sesa një fiksim për brezin e mijëvjeçarit, të dhënë pas reikit. Sipas uebsajtit AARP, CBD-ja është bërë trajtim popullor për dhimbjet dhe artritin mes brezit të ashtuquajtur “Baby Boomers” (të lindur mes 1946-’64), disa prej të cilëve kanë qenë jashtë lojës së kanabisit, qysh kur e drodhën të fundit cigare në koncertin e Foghat, më 1975 –ën. Edhe kështu, CBD-ja duket se ka gjetur audiencën e shënjestruar natyrshëm mes profesionistëve kreativë, kureshtarëve veganë, që pushojnë në hotele trendy si hoteli nomad “James New York”, që ofron një shërbim dhome me meny shijuese CBD, me qofte të mbushura me CBD dhe salcë sriracha dhe majonezë. Apo hoteli Standard në Majemi dhe Nju Jork që shet, për 50 dollarë, pije me shije portokalli të kuq dhe CBD, të quajtura “Lord Jones”, në minibaret e tij. Këto produkte CBD të paketuara, e me çmime “premium” joshin konsumatorët të vetëdijshëm rreth trendeve, pjesërisht sepse premtojnë një shkallë kënaqësie – pa kënaqësinë. Pavarësisht origjinës së tij, prej kanabisit.

CBD nuk tregtohet si drogë rekreative, por thuajse si e kundërta: si korrektues i efekteve të këqija të alkoolit dhe madje të vetë marihuanës, që e bën të duket si bari i maceve për profesionistët e ngarkuar me punë, që duhet të jenë të freskët në mbledhjen e orës shtatë të mëngjesit. Një pije detoksifikuese, ende në përpunim, e quajtur “Sober Up”, për shembull, do të përmbajë CBD dhe mendohet të ndihmojë shëndetin e mëlçisë dhe parandalimin e efekteve të dehjes. Më pak “hangovers” është gjithashtu maja e shitjeve në “Adriaen Block”, një bar në lagjen Astoria të Kuinsit dhe servir kokteje negroni me CBD si edhe kokteje të tjerë klasikë. “Mund ta mbash një bisedë dhe të dish se ç’po thua”, ka thënë Zsolt Csonka, pronari i barit që bën edhe përzierjen e pijeve. “Pas dy apo tri pijeve, do të jesh në gjendje të shkosh në palestër, të nesërmen. Kur shoqërohet me pjata si tost me karkaleca dhe susam në “PopCultivate”, një zinxhir kateringu me pjata kanabisi në qendër, e lokalizuar në Los Anxhelos, CBD mund të funksionojë si një lubrifikant social, ashtu si bashkimi përmes verës, por pa, siç pretendojnë propozuesit, efektet e dehjes të nesërmen. “Angazhohesh më shumë me fqinjët, flet më lirshëm dhe njeh më shumë njerëz, me të cilët të hash darkë”, ka thënë Chris Yang, biologu molekular i kthyer në shef kuzhine. Por askund tjetër, ethet e CBD-së nuk janë më të mëdha sesa tek shëndeti dhe bukuria, ku kanabidioli paketohet shpesh me terma si “origjinë e vetme” , “me bazë bimore” , “paketë e vogël” .

Vetëm mes produkteve të bukurisë, CBD ka arritur tashmë një status klishe, duke u shfaqur në kremrat zbardhues, maskat për gjumë, shampot, zbutësit e flokëve, serumet për sy, locionet kundër akneve, bojës për qerpikë, vajrave të masazhit, sapunëve, zbutësve të buzëve, kripërat e banjës, serumet kundër rrudhave, qetësuesit e muskujve, hidratuesit, locionet për fytyrën dhe kremrat e trupit. Edhe dhoma e gjumit nuk është e sigurt nga mësymja e CBD-së, duke gjykuar nga lubrifikantët seksualë me CBD, në raftet e dyqaneve. “Kam zëvendësuar të gjithë rutinën e bukurisë me vetëm produkte CBD”, lexohet një titull në revistën “Glamour”. Kjo aurë tokësore, artizanale, luan mirë me të devotshmit, që janë të kushtëzuar tashmë, pas vitesh terapi aromash, krimoterapi dhe homeoterapi, për të pranuar mantrën natyrale të mirëqenies mbi gjithçka tjetër që ofrohet nga farmaceutiket e mëdha dhe kompleksi i industrisë mjekësore. Si një regjim alternativ i shëndetit, CBD ka joshje të veçantë tek gratë, ka thënë Gretchen Lidicker, redaktori i shëndetit për “Mindbodygreen”, një uebsajt mirëqenieje, në Nju Jork dhe autor i “Sekretet e përditshme të Vajit të Kanabisit.”. Duke vërejtur mbizotërimin e bizneseve të CBD-së drejtuar nga femrat, znj. Lidicket, 26 vjeç, thotë se “nuk është habi që gratë po drejtojnë lëvizjen e CBD-së”. “Gratë janë ndier të shpërfillura dhe të dehumanizuara prej kohësh nga industritë mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor”, thotë ajo. “Ato përjetojnë kohë më të gjata për trajtim. Dhimbja dhe vuajtjet e tyre skartohen si ankth apo histeri. Dhe trupi i mashkullit ka qenë tipikisht modeli për kërkimin mjekësor.” Shqetësime të tilla duket se kanë ndihmuar në furnizimin e lëvizjes CBD.

Në një epokë të shënjuar nga humbja e besimit në institucionet tradicionale (qeveria, bankat, spitalet), CBD-ja ka lulëzuar ndoshta për shkak se duket e re, e mistershme dhe e panjollosur nga rryma e përgjithshme. Mundet ose jo të jetë një rastësi që një nga shitësit më të njohur me pakicë në Nju Jork , “Alchemist’s Kitchen”, servir tretësira kanabidioli dhe kapsula xhelatinoze, si edhe punëtori me astrokartografi, ëndrra të kthjellëta dhe shërim ancestral të hënës së plotë. Entuziastët e kësaj betohen se ka efekt. “Ndihmon shumë për dhimbjen, inflamacionin dhe ankthin e përgjithshëm, që më mbërthen 24 orë të ditës”, ka thënë Anna Duckworth, 34 vjeç, redaktore e “Miss Grass”, një uebsajt në Venecia të Kalifornisë, që revista “W” e ka quajtur “flluska e kanabisit”. “Ka miliona njerëz, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës dhe nuk duan të marrin më ilaçe që i bëjnë të ndihen keq”, ka thënë ajo, “dhe dëshirojnë të ndjekin një shteg jotoksik dhe natyral.”

Vaji i gjarprit apo droga e çudirave?
Ka një problem me këtë qasje. Kur njerëzit i drejtohen qumështit të kokosit, të përzier me CBD, për të kuruar aknet dhe disfunksionin erektil, nuk është e lehtë të ndash publicitetin nga shkenca. Skeptikët që hamendësojnë se, CBD-ja është thjesht vaji i gjarprit të shekullit 21, sidoqoftë, mund të habiten kur të mësojnë se substanca po studiohet si trajtim potencial për sëmundje aq të ndryshme si skizofrenia, pagjumësia dhe kanceri. “CBD-ja është kura më premtuese që është zbuluar për sëmundjet neuropsikiatrike, në 50 vitet e fundit”, ka thënë Dr. Esther Blessing, asistente profesore e Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Nju Jorkut, që po koordinon një studim të CBD-së si trajtim për stresin post-traumatik dhe çrregullimin e përdorimit të alkoolit. “Arsyeja që është aq premtuese vjen nga fakti se ka një kombinim unik të sigurisë dhe efektshmërisë për një gamë të gjerë problemesh.” Baza e të dhënave të Instituteve Kombëtare të Shëndetit rendit afro 150 studime, që përfshijnë CBD-në si trajtim për gjendje që variojnë, nga spazmat e foshnjërisë dhe sëmundja e Parkinsonit. Dhe kërkimi shkencor ka çuar tek trajtimet mjekësore. Në qershor, Administrata për Ushqimet dhe Barnat, miratoi ilaçin me bazë kanabidiol, e quajtur Epidiolex si trajtim për format e rënda të epilepsisë, duke përfaqësuar të parin përdorim mjekësor për CBD-ën, të sanksionuar nga qeveria.
Kërkimi pararak gjithashtu tregon se CBD-ja mund të jetë i efektshëm si antipsikotik në reduktimin e simptomave të skizofrenisë, me më pak efekte anësore krahasuar me barnat aktuale antipsikotike, ka thënë Dr.Blessing. CBD-ja është gjithashtu premtues në reduktimin e dëshirës tek njerëzit me varësi ndaj opioideve, sipas një studimi të botuar në “Neurotherapeutics”, më 2015-ën. Mund të luftojë edhe kancerin. Autorët e një recense të botuar në Revistën Britanike të Farmakologjisë Klinike, më 2012-ën, ka shkruar: “faktet po sugjerojnë se CBD është një frenues i fuqishëm si i rritjes së kancerit, ashtu edhe shpërndarjes së tij.” Por nuk është për t’u thënë se një apo dy çamçakëzë me CBD mund të konsiderohen medikament.

“Në pjesën më të madhe të produkteve, ku njerëzit po vendosin CBD në kafe apo ushqim, nuk ka fakte të forta se mund të përmbajnë mjaftueshëm CBD për të pasur efekt”, ka thënë Dr.Blessing. “Një kafe me CBD mund të përmbajë vetëm pesë miligramë. Për të trajtuar ankthin, nevojitet afro 300 miligramë.”
Mos konsumoni një dozë vaji CBD, ende. Dr. Blessing thotë se pjesa më e madhe e kërkimit është në fazë fillestare dhe pastërtia e dozës së disa produkteve për konsum me CBD mund të mos jenë të besueshme. Dhe, siç vërën ajo, CBD mund të ketë ndërveprime negative me shumë medikamente, kështu që përdoruesit potencialë duhet të flasin me mjekun përpara se ta përdorin. Ka rreziqe ligjore, gjithashtu. Siç ndodh me të gjithë produktet e kanabisit, qeveria federale i kategorizon produktet CBD, përveç Epidiolex, si medikament të Listës 1, si heroina, sipas Administratës së Rregullores së Medikamenteve. Dhe kanabisi mbetet ilegal nën ligjin federal, edhe në shtete që e kanë legalizuar marijuanën për përdorim mjekësor apo rekreativ. Por, misioni i DEA-s është të arrijë tek trafikantët e drogës në shkallë të gjerë, jo tek përdoruesit individualë, ka thënë Barbara Carreno, një zëdhënëse e agjencisë. “Nuk po ua heqim nga duart marihuanën në Hilo, Havai dhe nuk do fokusohemi tek dikush që ble një locion apo akullore me CBD.”Megjithëse ka pasur mësymje të shitësve me pakicë të CBD-së në vend, disa shtete, si Alabama, Teksasi, Florida dhe Oklahoma, kanë kaluar ligje që miratojnë disa produkte specifike CBD për të trajtuar probleme specifike. Dyqanet e CBD-së kanë mbirë në të gjithë vendin. Në Nju Jork për shembull, tretësirat e CBD-së dhe produkte të tjerë mund të blihen në dyqane specialitetesh, dyqane me ushqime të shëndetshme, studio joge, tregje, butikë dhe madje edhe në disa kioska qoshesh. Disponueshmëria e CBD-së nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të kryebashkiakut Bill de Blasio për të ulur dënimet për shkeljet e vogla me marijuanë. Përveç sulmeve federale, e vetmja që mund ta vrasë vrullin e CBD-së është vetë publiciteti, ka thënë z.DeLand nga “Dosist”. Pretendimet e fryra rreth CBD-së “ngrenë disa pritshmëri të rreme”, ka thënë DeLand. Jo vetëm që, këto pretendime jo shumë të besueshme janë një ftesë për ligjvënësit, por rrezikojnë madje që edhe përdorimet e ligjshme të duken të dyshimta, ka thënë ai. “Jemi në majë të ajsbergut në atë çka janë përdorimet terapeutike dhe si t’i bëjmë ato të përsëritshme. “E ardhmja e kësaj është industria”, shton DeLand, “duhet të bazohet në fakte, jo fiksione.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë