Prezantimi i Finales së Madhe të Eurosong më 13 maj për një audiencë globale prej 160 milionë banorësh, do t’i besohet mbretit të komentimit Graham Norton, së bashku me këngëtaren ukrainase, kompozitoren dhe drejtuesen e grupit alternativ The HARDKISS, Julia Sanina. Atyre do t’u bashkohen në Liverpool Arena, aktorja fituese e çmimit Emmy dhe ylli i Ted Lasso, Hannah Waddingham dhe kantautorja dhe gjyqtarja e Britain’s Got Talent, Alesha Dixon.




Ndërsa shumica në Britani janë të kënaqur me kthimin e Grahamit, disa fansa janë të shqetësuar se do të ketë më pak mbulim të mprehtë të tij nga salla e komenteve nëse ai është i lidhur me detyrat e prezantimit. Por BBC tha se Graham do ta ndajë komentimin me aktoren komike dhe ish-prezantuesen e “Bake Off”, Mel Giedroyc, e cili besohet se do të ndihmojë gjatë prezantimit në skenë.



Por shumë fansa kanë shprehur në Twitter zhgënjimin e tyre për njoftimin e disa prej drejtuesve të tjerë. Njëri shkroi: ‘Kaq shumë zgjedhje kur bëhet fjalë për prezantues të shkëlqyer dhe me përvojë dhe ata shkojnë me këtë grup të rastësishëm… Duke përjashtuar Graham Norton, të tjerët as që i njohim”. Një tjetër tha se zgjedhja e Dixon ishte ‘shumë e rastësishme’ ndërsa një fans shtoi: ‘Nuk kam dëgjuar kurrë për Julia Sanina ose Hannah Waddingham’.


Të dy gjysmëfinalet do të jenë drejtpërdrejt në BBC One dhe BBC iPlayer, me DJ të radios dhe ekspertët e Eurovizionit, Scott Mills dhe Rylan Clark, duke i sjellë audiencës në Mbretërinë e Bashkuar komentet e tyre plot ngjyra. Ndërkohë, transmetuesi ukrainas Timur Miroshnychenko do të jetë korrespondenti i Eurovizionit në Liverpool, duke u shfaqur në insertet gjatë shfaqjeve të drejtpërdrejta plus duke dhënë informacione të drejtpërdrejta nga salla e komenteve. Krahas prezantuesit Sam Quek, ai do të kryejë transmetimin e drejtpërdrejtë të Ceremonisë së Hapjes në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




