Analize

Pse e vrau Sergei Lavrov Ballkanin e Hapur

Analistët ndërkombëtarë po e interpretojnë deklaratën mbështetëse të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov për Ballkanin e Hapur si akti që vrau këtë nismë.

Edward P.Joseph, profesor në Universitetin John Hopkins, analist dhe njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare, çështjeve ballkanike dhe kundërshtar i Ballkanit të Hapur, përmes një serie postimesh shpjegon mendimin e tij se përse kjo deklaratë e vrau këtë nismë.

Ai e krahason me efektin e kundërt që pati në radhët e NATO-s vendimi i Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.

“Ashtu si falë Putinit NATO sot është më e gjallë, faleminderit Sergei Lavrovit që i dha puthjen e vdekjes Ballkanit të Hapur. Kjo nismë fëminore e administratës së Trump avancon agjendën Rusë në rajon përmes partnerit të saj strategjik, Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçit”, shkruan ai.

Joseph thekson më pas se e gjithë makineria propagande ruse në Ballkan ka mbështetur pa asnjë rezervë Ballkanin e Hapur.

“Media më e madhe ruse në Serbi, Sputnik Serbia ka mbështetur Ballkanin e hapur vazhdimisht. Pse të mos e bëjë? Ballkani i Hapur është një ftesë që Aleksandër Vuçiç të shfrytëzojë fuqinë ekonomike të Serbisë për qëllime politike pa u kushtëzuar nga detyrimet për zbatimin e vlerave e standardeve të BE. Ballkani i Hapur është Bota Serbe përmes fqinjëve më të dobët ekonomikisht të Serbisë”, thotë ai.

Sipas analistit amerikan, Aleksandër Vuçiç nuk ka asnjë qëllim që të anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Europian.

“Besimi se Vuçiç dëshiron të anëtarësojë Serbinë në BE i shtyu zyrtarët amerikanëë drejt nocionit të një tregu rajonal të lirë, që do të ndërtonte besimin mes vendeve. Por, ajo që ka rëndësi është karakteristika e regjimit me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë tregti. Për këtë pyesni Ukrainën; deri më 24 shkurt, Rusia ishte partnerja kryesore e Kievit në importe dhe eksporte”, shpjegon Joseph.

Shembuj, sipas Joseph ka edhe në Ballkan.

“Serbia është partneri krryesor i tregtar i Malit të Zi, por në termat e besimit Beogradi është i fundit për Podgoricën. Mbështetja që Kryeministri (Dritan Abazoviç) i bëri Ballkanit të Hapur ka ngjallur përçarje në vend”, shkruan Joseph.

Ai thotë se gjithkush në Ballkan që e sheh Serbinë si një kërcënim është skeptik dhe dyshues për Ballkanin e Hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë