Treg

Pse çmimet e bakrit po bien papritur?

Në qershor, Robert Friedland, shefi i Ivanhoe, një minierë kanadeze, lajmëroi se bota po përballet me një rrezik gjigand, "një përplasje trenash" pasi një rënie e sasisë së bakrit do të kërcënonte tranzicionin energjetik. Metali përdoret në lidhjet e rrjetit e deri tek turbinat e erës dhe SHBA-ja, Azia dhe Europa do të shtojnë akoma më shumë kërkesën.

Friedland tha se çmimi i bakrit do të rritet fort.

Gjithsesi, tani, treni është brenda shinave dhe po udhëton i lumtur. Pasi arritën kulmin në marsin e vitit të shkuar, 10.700  dollarë për  ton, çmimi i bakrit ka rënë me 10%  dhe shitet tani 8.300 dollarë/ton. Investitorët nuk presin rritje së shpejti. Çfarë po ndodh?

Për shkak të gamës së përdorimit të tij, që përfshin ndërtimin, elektronikën dhe armatimin, çmimet e bakrit tregojnë shëndetin e ekonomisë globale, duke i dhënë metalit pseudonimin "Dr Copper". Prandaj, shqetësimet për ekonominë mund t'i bëjnë investitorët të zymtë për perspektivat e bakrit. Rimëkëmbja post-covid në Kinë, e cila konsumon deri në 55% të furnizimit global, tashmë po zbehet. Rritja po zvogëlohet gjithashtu në Perëndim ndërsa rritja e normave të interesit kafshon.

Megjithatë historia e mungesës së kërkesës nuk e shpjegon plotësisht rënien e çmimit. Pavarësisht rënies së ndërtimit të vendit, Kina po përdor 5% më shumë bakër këtë vit se sa i kaluari. Një rritje prej 7% në prodhimin e njësive ftohëse në pritje të një vere të nxehtë rrit gjithashtu kërkesën.

Nëse tregjet e bakrit janë të ftohta, atëherë, kjo është edhe për shkak se oferta është rritur. Gjatë dimrit, një sërë ndërprerjesh - nga protestat në Peru deri te përmbytjet në Indonezi - ndikuan prodhimin global. Tani këto probleme po lehtësohen. Si rezultat, shkritoret e bakrit ndihen mjaft të sigurta për t'i ngarkuar minatorët tarifa më të larta, duke treguar se nuk ka mungesë të lëndëve të para.

Në të njëjtën kohë, investitorët financiarë po e nënçmojnë bakrin. Ndërsa normat e interesit rriten, ata preferojnë të mbajnë aktive gjeneruese të parave në vend të mallrave, të cilat nuk japin asgjë. Për pjesën më të madhe të këtij viti, pozicionimi neto "jo-tregtar" në tregjet e së ardhmes së bakrit ka qenë në të kuqe, duke nënkuptuar se më shumë investitorë janë duke vënë bast se çmimet do të bien sesa do të rikuperohen. Megjithatë, çmimet e sotme mbeten 2,500 dollarë për ton mbi kostot e prodhimit në minierën marxhinale, vëren Robert Edëards nga CRU, një konsulencë. Kjo nënkupton që korrigjimi i fundit ka nxjerrë shkumë nga tregu, në vend që i ka shtyrë çmimet shumë të ulëta, duke sugjeruar se ato mund të qëndrojnë të tilla për një kohë.

Ndërsa tranzicioni i energjisë përshpejtohet, ai duhet t'i japë një tronditje kërkesës. Shitjet e automjeteve elektrike (EVS), të cilat tashmë janë në rritje, pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme dhe secila njësi përmban tre deri në katër herë më shumë bakër sesa homologu i saj me benzinë apo naftë. Edhe në një skenar ku tranzicioni ndodh ngadalë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (iea), një parashikues zyrtar, vlerëson se kërkesa e bakrit nga përdorimet e gjelbra, e nxitur nga bumi i energjisë elektrike dhe kabllot nënujore për fermat e erës, gati do të dyfishohet deri në vitin 2040.

Furnizimi do ta ketë të vështirë për të vazhduar. Mosha mesatare e dhjetë minierave më të mëdha në botë është 64 vjeç, gjë që po i detyron minatorët të gërmojnë thellë për xeheror me cilësi gjithnjë e më të ulët, duke e bërë çdo ton të ri bakri të rafinuar më të kushtueshëm për t'u prodhuar. Minierat e reja janë të pakta. Duke supozuar që të gjitha projektet e caktuara dhe të mundshme të shkojnë përpara, McKinsey, një konsulencë, parashikon që oferta do të arrijë në 30 milion ton deri në vitin 2031, 7 milion ton më pak se kërkesa e vlerësuar.

Një përplasje e rëndë si ajo e parashikuar nga Friedland mund të shmanget ende. Shumica e modeleve të parashikimit, duke përfshirë atë të Iea-s, presin që kërkesa për bakër jashtë përdorimit të energjisë së pastër të mbetet e qëndrueshme. Tom Price dhe Ben Davis nga Liberum Capital, një bankë investimesh, mendojnë se kjo nuk ka gjasa, sepse bumi i gjatë i ndërtimit të Kinës ka të ngjarë të ketë përfunduar. Bakri i kushtueshëm do të nxisë gjithashtu zëvendësimin: disa EV tashmë përdorin instalime elektrike alumini. Dhe McKinsey thekson se teknologjia e re – nëse arrin potencialin e saj – mund të mbyllë pjesën më të madhe të hendekut të furnizimit këtë dekadë. Kemi kohë për të shmangur një aksident trenash.

Burimi: TheEconomist, Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë