Shendet

Pse burrat kanë më shumë gjasa të vdesin nga sindroma e “zemrës së thyer”

Nga Michael Mosley* - Kur isha në moshën 20-vjeçare, vajza me të cilën isha lidhur, për më shumë se tre vjet, më la për një djalë tjetër. Unë u shqetësova, u zemërova, u stresova shumë dhe shkruaja poezi gjatë gjithë kohës.
Isha në një gjendje të mjeruar për disa muaj dhe në asnjë moment nuk mendoja se mund të vdisja nga një “zemër e thyer”.
Është e rrallë, por ekziston një gjendje mjekësore e quajtur sindroma e “zemrës së thyer”, e cila mund të shkaktohet nga stresi emocional intensiv, siç është refuzimi, ndarja ose vdekja e të dashurit tuaj. Aq më pak nëse keni qenë së bashku me partnerin tuaj për një kohë të gjatë.
Muajin e kaluar, filozofi George Steiner vdiq në moshën 90-vjeçare. Vetëm dhjetë ditë më vonë vdiq edhe gruaja e tij, Zara Steiner, e cila ishte një akademike e shkëlqyer dhe që ishte e martuar me të për 65 vjet.
Por çfarë ndodh dhe cilat janë shanset që nëse dikush që keni dashur për një kohë të gjatë vdes, ju mund të vdisni shumë shpejt pas tij?

Stresi i humbjes mund të shkaktojë fryrje të zemrës
Unë kam thënë tashmë që sindroma e “zemrës së thyer” tani do të njihet si e vërtetë dhe jo thjesht si një mendim poetik. Në fakt ajo ka një emër tjetër më teknik në mjekësi dhe më pak romantik që quhet "kardiomiopatinë takotsubo", ose TTS. Ishin studiuesit japonezë në vitet 1990 ata që identifikuan për herë të parë këtë gjë për shkak të stresit. "Takotsubo" është një fjalë japoneze që do të thotë “kurthi i oktapodit”.
Dikush që vuan nga sindroma e “zemrës së thyer” zakonisht ka fryrje të madhe në barkushen e majtë. Kjo e bën zemrën e “viktimës” që në grafi të duket si një shishe me fund të rrumbullakët dhe qafë të ngushtë; shishe që dikur janë përdorur nga peshkatarët japonezë për kapjen e oktapodëve.
Askush nuk është plotësisht i sigurt pse ndodh kjo gjendje, por mendohet se shkaktohet nga një ngjarje e madhe emocionale, e cila nga ana tjetër çon në një rritje të papritur të madhe të hormoneve të stresit. Këto hormone rrisin presionin e gjakut dhe pulsin, të cilat mund të shtrembërojnë formën e zemrës. Simptomat mund të përfshijnë edhe dhimbje të forta në gjoks e gulçim, por shumica e pacientëve e marrin veten shpejt.

Kur stresi largohet, zemra zakonisht kthehet në formën e saj normale
Fryrja e papritur mund të jetë vdekjeprurëse, sepse barkushja e majtë është përgjegjëse për pompimin e gjakut të oksigjenuar në trupin tonë. Nëse shtrembërohet, nuk do të funksionojë dhe kjo mund të çojë menjëherë në një atak kardiak. Normalisht, kjo gjendje shkaktohet nga një mpiksje që udhëton nëpër sistemin e gjakut dhe më pas bëhet bllokimi në një nga arteriet koronare që furnizojnë me gjak zemrën tuaj. Megjithatë, në sindromën e "zemrës së thyer", nuk ka shenja bllokimi ose dëmtimi të arterieve koronare. Nuk ka trajtim specifik për sindromën e "zemrës së thyer", por pacientëve mund t'u ofrohen ilaçe për të ulur presionin e gjakut.
Një shoqja ime, Sally, më tha që disa vjet më parë ajo ishte në shtëpi në Londër kur mori një telefonatë nga babai i saj, i cili jetonte në Yorkshire. Ai i tha se nëna e saj kishte vdekur papritur nga një arrest kardiak.
Sally paketoi shpejt disa gjëra, u fut në makinën e saj dhe iku në Yorkshire, por kur arriti në shtëpinë e prindërve, ajo gjeti një ambulancë jashtë portës: Babai i saj sapo kishte vdekur, nga një sulm në zemër.
Shumica prej nesh mund të pësojë një arrest kardiak në një moment, por sa mundësi ka që do të na vrasë?
Në vitin 1969, disa ekspertë studiuan faktorët që kishin çuar në vdekje 4486 burra të moshës 55 vjeç. Rezultatet treguan se 213 prej tyre vdiqën brenda gjashtë muajve nga vdekja e grave të tyre. Ndërsa për sa u përket grave, gjetjet kanë treguar se gratë që kanë vuajtur nga sindroma “zemrës së thyer”, shërohen.
Pse mund të jetë kështu?
Ka shumë teori, por një nga shpjegimet më të mundshme është se në një marrëdhënie afatgjatë shpesh janë gratë që mbajnë lidhje më shumë me miqtë dhe familjen. Unë e përgjithësoj këtë gjë në mënyrë shumë të egër, por sigurisht që e kam shumë të vërtetuar. Kur partnerja e tij vdes, një burrë është i prirur që të përjetojë një gjendje depresioni të thellë, duke lënë pas dore miqtë, të njohurit dhe familjen dhe duke u izoluar në vetvete./Daily Mail/

* Dr.Michael Mosley është një gazetar, producent, prezantues dhe doktor i kualifikuar britanik, i cili ka punuar për BBC që nga viti 1985. Ai ndoshta është i njohur më së miri si prezantues i programeve televizive mbi biologjinë dhe mjekësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë