Arsim

Provimet e maturës / Ministria e Arsimit tha se rriti kontrollin por edhe këtë vit teza doli pak pasi kishte nisur provimi

Nga Gazeta Si- 30 mijë maturantë zhvilluan sot provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj.

Provimi ka nisur që në orën 10:00 dhe zgjati deri në orën 12:30. Këtë vit u tha se provimet do kryhen nën rregullore të reja, ku një ndër to është zhvillimi i i provimeve në korridoret e shkollave apo në palestra dhe i gjithë testimi do të monitorohet me kamera. Mjediset e provimeve duhet të jenë të mjaftueshme për të paktën 150 nxënës që duhet të vendosen në largësi jo më pak se 1.2 metra, për të shmangur abuzimet që mund të bëhen.

Por këto masa të reja përsëri nuk kanë funksionuar dhe brenda një ore, kanë dalë tezat e para, ashtu siç ndodh prej vitesh.

Në rrjetet sociale tashmë janë publikuar tezat e para të gjuhës së huaj anglisht, ku maturantët po presin zgjidhjen e ushtrimeve.

Në provim janë të përfshira të gjithë nivelet e vështirësisë dhe për herë të parë këtë vit do të ketë një test të veçantë për nxënësit me aftësi ndryshe. Një tjetër risi e maturës do të jetë heqja e fletëpërgjigjeve të provimeve.

Po ashtu, ndryshe nga vite me parë, kësaj radhe nëse maturanti do të ketë kontestim për notën mund të bëjë ankim dhe të bëhet rivlerësim i testit.

Pas provimit të gjuhës së huaj, maturantët do t’i nënshtrohen më datën 7 provimit të Gjuhës Shqipe, Matematikës më 13 Qershor dhe provimit të lëndës më zgjedhje më 19 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë