Arsim

Provime të reja, avaz i vjetër/ Ministria e Arsimit përsërit veten në reagimin pas publikimit të tezave

Nga Gazeta Si - Bashkë me publikimin e tezave të provimit në rrjetet sociale 30 minuta pas fillimit, përsëritet edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit, edhe pse këtë vit është nën drejtimin e Ogerta Manastirliut, jo Evis Kushit.

“Është detaj që nuk e cënon procesin”, u shpreh Kushi në qershor të 2023, disa minuta pasi ishte publikuar teza.

Ndërkohë, ministrja Ogerta Manastirliu, një vit më pas, (ditën e sotme) ka bërë të njëjtin reagim, duke thënë se “akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces”.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore kanë marrë masa për të përmirësuar procesin e Maturës Shtetërore, duke përfshirë monitorimin e rreptë të ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët dhe kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, masa që nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar maturantët që të fotografojnë tezat një nga një dhe t’i shpërndajnë në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë