Shendet

Prova e vaksinave në Universitetin e Oksfordit ka ndaluar, një vullnetar u sëmur

Provat përfundimtare klinike për një vaksinë të mundshme të koronavirusit, të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, janë vënë në pritje pasi një pjesëmarrës pati reagim të kundërt ndaj vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar.

AstraZeneca e përshkroi ndalimin si një pauzë "rutinë" në rastin e "një sëmundjeje të pashpjegueshme".

Rezultati i provave të vaksinave po vëzhgohet nga afër në të gjithë botën.

Vaksina e AstraZeneca- Universiteti i Oxford shihet si një konkurrente e fortë mes dhjetra të tillave që po zhvillohen globalisht.

Shpresat kanë qenë të mëdha se vaksina mund të jetë nga të parat që do të dalë në treg, pas testimit të suksesshëm të fazës 1 dhe 2.

Kalimi i saj në fazën 3 të testimit në javët e fundit ka përfshirë rreth 30,000 pjesëmarrës në SHBA si dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil dhe Afrikën e Jugut. Provat e fazës 3 në vaksina shpesh përfshijnë mijëra pjesëmarrës dhe mund të zgjasin disa vite.

Stat News, një platformë shëndeti, e cila për herë të parë publikoi lajmin, tha se detajet e reagimit të pafavorshëm ndaj vaksinës të pjesëmarrësit në Mbretërinë e Bashkuar nuk diheshin ende, por citoi një burim që thoshte se pritej të shërohej.

Vendimi për rifillimin e provave mund të jetë larg

Analizë nga Fergus Walsh, Redaktor Mjekësor i BBC

Në vështrimin e parë kjo mund të duket alarmante. Një provë e vaksinës - dhe jo një vaksinë dosido, por një e tillë që merr vëmendje masive globale - vihet në pritje për shkak të një efekti anësor të dyshuar serioz. Por ngjarje të tilla nuk janë të padëgjuara. Në të vërtetë ekipi i Oksfordit e përshkruan atë si "rutinë". Sa herë që një vullnetar shtrohet në spital dhe shkaku i sëmundjes nuk mësohet dot menjëherë, nxit ndalimin e provave.

Kjo është në të vërtetë hera e dytë që ka ndodhur me provën e vaksinës koronavirus të Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca që kur vullnetarët e parë u imunizuan në muajin prill. Një zëdhënës i Universitetit të Oksfordit tha: "Në studime të mëdha e të gjera si ky, sëmundjet verifikohen rastësisht, por duhet të rishikohen në mënyrë të pavarur për ta kontrolluar me kujdes".

Një vendim përfundimtar për rinisjen e provave do të merret nga rregullatori mjekësor MHRA, i cili mund të zgjasë vetëm disa ditë. Por deri atëherë të gjitha vendet ndërkombëtare ku është bërë prova e vaksinës; në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil, Afrikën e Jugut dhe SHBA janë në pritje.

Ekipi i Universitetit të Oksfordit beson se ky proces ilustron se ata janë të përkushtuar për sigurinë e vullnetarëve të tyre dhe standardet më të larta të sjelljes në studimet e tyre.

Ku jemi në rrugëtimin e  kërkimit për një vaksinë të mundshme?

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka thënë se ai dëshiron ta ketë të disponueshme një vaksinë në SHBA para zgjedhjeve të 3 nëntorit, por komentet e tij kanë ngritur frikën se politika mund të ketë përparësi mbi sigurinë në nxitimin për të patur një vaksinë të mundshme në një kohë kaq të shkurtër.

Të martën, një grup prej nëntë prodhuesish të vaksinave Covid-19 u përpoq të siguronte publikun duke njoftuar një "premtim historik" për të mbështetur standardet shkencore dhe etike në kërkimin e një vaksine.

AstraZeneca është në mesin e nëntë firmave që u regjistruan me premtimin për të aplikuar për miratim rregullator vetëm pasi vaksinat të kenë kaluar tre fazat e studimit klinik.

Gjigandët e industrisë Johnson & Johnson, BioNTech, GlaxoSmithKline, Pfizer, Merk, Moderna, Sanofi dhe Novavax janë nënshkruesit e tjerë.

Ata u zotuan të "vendosin gjithmonë sigurinë dhe mirëqenien e individëve të vaksinuar si përparësinë tonë kryesore".

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se gati 180 vaksina kandidate janë duke u testuar në të gjithë botën, por asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar ende provat klinike.

Organizata ka thënë se nuk pret që një vaksinë të përmbushë udhëzimet e saj të efikasitetit dhe sigurisë në mënyrë që të miratohet këtë vit, për shkak të kohës që duhet për t’i provuar ato në mënyrë të sigurt.

Besime të ngjashme janë ndarë nga Thomas Cueni, drejtori i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve Farmaceutikë. Organi i industrisë përfaqëson kompanitë që nënshkruan premtimin.

Përkundër kësaj, Kina dhe Rusia kanë filluar vaksinimin e disa punëtorëve kryesorë me vaksina të zhvilluara në vend. Të gjitha këto vaksina janë të listuara nga OBSH si në fazën e provave klinike.

Ndërkohë, rregullatori kombëtar i SHBA-ve, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka sugjeruar që vaksinat e koronavirusit mund të aprovohen përpara se të përfundojnë një fazë e tretë e provave klinike.

Javën e kaluar gjithashtu doli që Qendrat e SHBA-ve për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kishin nxitur shtetet të konsiderojnë heqjen dorë nga disa kërkesa në mënyrë që të jenë të gatshëm për të shpërndarë një vaksinë të mundshme deri në 1 nëntor - dy ditë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Megjithëse Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se një vaksinë mund të jetë në dispozicion para zgjedhjeve, rivali i tij demokrat Joe Biden ka shprehur skepticizëm që Z. Trump do të dëgjojë shkencëtarët dhe të zbatojë një proces transparent./Burimi:BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë