Viti i ri shkollor do të nisë të hënën e ardhshme dhe procesi mësimor edhe këtë vit do të zhvillohet me turne. Përjashtim në këtë rregull do të bëjnë shkollat që kanë deri 20 nxënës nëpër klasa. Në protokollin e ri për shkollat 9-vjecare dhe të mesme thuhet se përveç mësuesve edhe prindërit dhe familjarët e një nxënësi duhet të deklarojnë nëse e kanë bërë apo jo vaksinën.

Për sa i përket mësuesve ata duhet, të jenë të vaksinuar përpara fillimit të mësimit dhe të tregojnë dokumentin e vaksinimit, në të kundërt duhet të dorëzojnë një arsyetim nga mjeku i familjes për mos kryerjen e vaksinës, ndërsa do të jenë të detyruar të kryejnë vazhdimisht testin PCR çdo javë. Kjo gjë vlen edhe për personelin e kujdesit dhe rojet në çdo shkollë.
Në udhëzim përcaktohet se hyrja e nxënësve në shkollë duhet të jetë në radhë një nga një, me largësi jo më pak se 1.5 metra.
Sipas udhëzimit nxënësi që kanë simptoma të ngjashme me Covid-19 duhet të njoftojë mësuesin kujdestar dhe justifikimi i mungesës në shkollë bëhet vetëm nga mjeku i familjes.
Në shkollat ku numri i nxënësve është i lartë, klasat do të ndahen në dy grupe dhe mësimi do të zgjasë 30 minuta, ndërsa në shkollat me më pak nxënës mësimi do të jetë 45 minuta.
Në këtë udhëzim përcaktohet se gjatë procesit mësimor, mësuesi duhet të qëndrojë në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe pavarësisht statusit si i vaksinuar duhet të mbajë gjatë gjithë kohës maskën.
Të njëjtat rregulla si vitin e shkuar janë edhe për qëndrimin e nxënësve në klasa. Ata duhet të ulën të paktën 1.5 metra larg njëri-tjetrit dhe të mbajnë maskën gjatë gjithë kohës. Maska është e këshillueshme për fëmijët e klasave fillore, ndërsa për të rriturit është e detyrueshme. Protokolli përcakton se nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve të përdorimit të tualetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











