Autoritetet kompetente kanë shpallur një protokoll masash higjeno-santiare anti covid-19 për biznesin fason, i cili ka qendruar hapur edhe gjatë pikut të epidemisë në vend.
Meqenëse është një nga bizneset që ka numrin më të madh të të punësuarëve dhe vendqendrimi i tyre është në të njëjtën hapësirë dhe ditët e fundit në Krujë e Thumanë është bërë vatër epidemie. nevojiten masa më të rrepta sipas autoriteteve për të parandaluar përhapjen e epidemisë në këto mjedise.
Masat konsitojnë që nga detyrimi për një person përgjegjës për shëndetin në punë, kontrolli çdo ditë i simptomave, paisja me dorashka e maska, etj. Protokolli gjendet edhe tek e-albania.
Protokolli i kuq për fasonët
•Subjekti fason, detyrimisht, ka të punësuar personin përgjegjës për shëndetin në punë.
•Administratori i subjektit fason ka detyrimin e njoftimit pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore të gjeneraliteteve dhe numrit të licencës së specialistit përkatës.
•Personi përgjegjës për shëndetin në punë dhe/ose administratori janë përgjegjës për implementimin e masave të këtij protokolli sipas detyrimeve të secilit prej tyre.
•Personi përgjegjës për shëndetin në punë kryen çdo ditë vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn e del në ambientet e punës, përfshirë administratorin, transportuesit, shpërndarësit, palë të treta që janë pjesë e zinxhirit furnizim-shpërndarjeshitje, etj. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127. Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të karantinohet në një ambient të veçuar të ndërmarrjes derisa të merren masat përkatëse nga shërbimet shëndetësore. Për çdo rast personi përgjegjës për shëndetin në punë dhe/ ose administratori lajmërojnë menjëherë strukturat përkatëse, veçanërisht Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik.
•Personi përgjegjës për shëndetin në punë mat temperaturën e punonjësve, përfshirë administratorin, apo çdo personi tjetër në hyrje dhe dalje, me termometër infrared dhe mban librin përkatës me shënimet çdo ditë për temperatura me të larta se 37,5 gradë apo të shfaqjes së simptomave të tjera. Personi përgjegjës për shëndetin në punë administron të dhënat mjekësore në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale sensitive dhe ka detyrimin e ruajtjes së konfidencialitetit. Asnjë person me temperature 37.5 nuk lejohet të hyjë në subjekt.
•Pavarësisht sa më sipër, personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas checklistës së miratuar. Në rast të simptomave personi duhet të njoftojë menjëherë 127-n dhe mjekun e ndërmarrjes.
•Çdo punonjës është i detyruar t’i deklarojë administratorit dhe mjekut të ndërmarrjes nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
•Çdo punonjës që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë administratorin dhe personi përgjegjës për shëndetin në punë. Punonjësi duhe të telefonojë 127- n dhe mjekun e familjes.
•Subjekti lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore.
•Vajtje-ardhja në punë me këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime. Në rast të vajtje-ardhjes në punë me shërbim transporti me autobusë, punonjësit ulen në anësoret e dritareve të autobusit, duke lënë një hapësirë rreshti bosh pas tyre. Në autobus apo automjet duhet mbajtur detyrimisht maska dhe dorezat dhe të shamnget prekja e sipërfaqeve. Autobusi dezinfektohet dhe ajroset çdo ditë. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit.
•Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment doreza mbrojtëse, maska dhe higjenizues duarsh me mbi 60% alkool.
•Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë.
•Personeli i punësuar/Administratori/personat e tjerë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse.
•Personeli i punësuar/Administratori/ personat e tjerë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.
•Kollitja dhe tështitja kryhen duke përdorur brrylin apo letër hundësh.
• Në hyrje dhe në dalje subjekti duhet të ofrojë produktin higjenizues të duarve për personelin dhe këdo që hyn e del në ndërmarrje dhe të kujdeset për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool.
• Subjekti fason duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis personelit të punësuar. Subjekti fason riorganizon punën e tij me turne sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm.
•Në çdo rast të sigurohet ventilim (ajrimi) natyral të paktën 5 herë në ditë. Subjektet të marrin masat përkatëse për ndërhyrje në sistemet e ventilimit ku të kalohet në modalitetin e ajrit natyral apo përmes shtimit të dritareve.
•Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta si transportues, shpërndarës etj., përfshirë edhe përshëndetjet.
• Gjatë pushimit apo orarit të ngrënies, të shmanget grumbullimi i personave në ambiente si: kuzhina, dhoma ngrënie apo ambiente të jashtme, qoftë të subjektit apo publike.
•Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje të tij para hapjes, pas mbylljes, rekomandohet me shumë se 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera. Secili punonjës kryen dezinfektimin me produktet e higjenës: të tavolinave, banaqeve, mjeteve të punës, telefonave, si dhe çdo hapësire ku ka patur kontakt prekje, në fillim dhe përfundim të turnit. Produktet përdoren në përputhje me udhëzimet përkatëse nga prodhuesi/ shitësi apo Minsitria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
• Punonjësit gjatë punës nuk duhet të përdorin mjetet apo vendin e punës të kolegëve.
•Subjekti duhet të afishojë listën e simptomave të COVID-19 sipas checklistës së miratuar.
• Subjekti duhet të afishojë posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19 sipas formatit të miratuar.
•Subjekti duhet të afishojë deklaratën për zbatimin e protokollit të kuq biznes fason, sipas formatit të miratuar, ku përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli I punësuar/adminstratori/çdo person tjetër pale e tretë që hyn e del në ndërmarrje, sipas formatit të miratuar, ku përmendet përgjegjësisa administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.
•Subjekti të afishojë të plotë protokollin e kuq fason sipas tekstit të miratuar.
•Materialet e mësipërme afishohen në hyrje të subjektit si dhe në vende të dukshme në brendësi të ndërmarrjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.