Ngjarje

Protestuesit: Të pezullohen tre koncesionet e naftës! Konkurrenca të hetojë tregun

Protestuesit i cilësojnë të pamjaftueshme masat e ndërmarra nga Qeveria në kuadër të paketës së rezistencës sociale dhe i kërkojnë asaj që të ndërhyjë sërish dhe duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshjme e të krizës të pezullojë përkohësisht disa koncesione.

Protestuesit kërkuan pezullimin e tre koncesioneve që ndodhen te nafta, atë të markimit, skanimit dhe të kontrollit të pompave.

Sipas tyre, kushtet e përcaktuara në kontratat e këtyre koncesioneve për ‘forcën madhore’ janë plotësuar për të ndërhyrë qeveria. Veç kësaj, kërkohet që qeveria të hetojë dhe mbikëqyrë operatorët ekonomikë të importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve, për të cilët ka akuza e dyshime se rrisin në mënyrë spekullative çmimin e tyre.

Kërkesa tjetër është që Autoriteti i Konkurrencës të raportojë çdo tre muaj në Kuvend në lidhje me çmimin e karburanteve, gjendjen e tregut, përqëndrimin e tij dhe të bëjë transparencë të plotë të zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët që veprojnë në treg dhe që zotërojnë mbib 25 për qind të tregut.

Kërkohet gjithashtu rishikimi i buxhetit për këtë vit për të shkurtuar shpenzimet operative dhe të luksit të administratës shtetërore dhe krijimi i një kompanie publike që të konkurrojë me kompanitë private në tregun e naftës.

Kërkesat e tjera lidhen me përcaktimin e minimumit jetik dhe publikimin e përvitshëm të tij, si dhe përcaktimin e mbështetjes financiare për shtresat në nevojë në bazë të minimumit jetik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë