Ngjarje

Protestuesit bllokuan autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën e Rinasit, u shpërndanë pas mesnate

Nga Gazeta Si- Në ditën e 15-të të saj, protesta kundër klasës politike kaloi kufinjtë e marshimit nëpër Tiranë.

Pas qëndrimit rreth dy orë poshtë kryeministrisë dhe më pas marshimit të zakonshëm nëpër rrugët e Tiranës, ata nuk u kthyen sërish aty ku u nisën, por u drejtuan në autostradën Tiranë- Durrës.

Për disa orë autostrada u bllokua nga marshimi i protestuesve, të cilët nuk u ndalën aty, por iu drejtuan rrugës së Rinasit në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në rrugën e Rinasit protestuesit u ndaluan nga policia, forcat Shqiponja dhe ato të FNSH-së.

Protestuesit qëndruan për rreth 60 minuta ulur në rrugën e Rinasit, derisa morën vendim të mos avanconin më tej, por të ktheheshin drejt Tiranës.

Protesta vijoi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Largimin e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i socialistëve, protestuesit e cilësuan fitore të tyre.

“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputete e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje”, tha një prej protestuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë