Ngjarje

Protestë para Bashkisë së Tiranës: Të largohet Rama dhe Veliaj

Një protestë është zhvilluar përpara Bashkisë së Tiranës nga disa qytetarë. Me pankarta në duar ata kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ata u shprehën se politikanëve të korruptuar iu ka ardhur dita për t’u larguar nga vendi.

Në pankartat e tyre shkuhet “E duam bashkinë pa Erion Velinë”, “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën, “E duam Shqipërinë pa Erion Veliajn”.

Mes thirrjeve ishin edhe ato për protestën e 16 shkurtit ku qytetarët thanë se atë ditë do të jetë përballja e madhe me qeverinë.

Për më shumë se 30 minuta, protestuesit kanë bllokuar rrugën mes Bashkisë së Tiranës dhe Teatrit Kombëtar, duke hedhur parulla kundër qeverisë, si shkaktare për jetën gjithnjë e më të vështirë e më të shtrenjtë në Tiranë.

Gjithashtu, qytetarët ankohen për rritjen e çmimit të naftës, energjisë, por edhe për taksat e shtuara për shkollën, shëndetësinë, shtëpitë dhe spitalet.

Protestuesit kanë hedhur parulla kundër korrupsionit qeveritar që sipas tyre, nuk po kursen më asgjë, as Teatrin Kombëtar dhe as banesat e qytetarëve në Unazën e Re dhe Bulevardin e ri. Ky korrupsion, thonë qytetarët, ka rritur pabarazinë, ku mbijetojnë vetëm ata që kanë lidhje me bashkinë dhe qeverinë.

Një tjetër motiv që ka ngritur qytetarët e Tiranës në protestë, është largimi masiv i të rinjve, të cilët nuk gjejnë dot punë në vendlindje dhe detyrohen të provojnë fatin në emigracion. Protestuesit hodhën vazhdimisht parulla kundër qeverisë dhe bashkisë. Pas bllokimit të rrugës, protestuesit po i bashkohen tani protestës së “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë