Ngjarje

Protestë në SHBA për viktimat e përdhunimeve të luftërave në Ballkan

“Tubimi për drejtësinë e saj” titullohej protesta të cilës iu bashkuan dhjetëra njerëz të organizuar nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane. Ata u bënë thirrje autoriteteve serbe të ndëshkojnë dhe të ndjekin penalisht kriminelët e luftës.
Të mbështetur nga grupet boshnjake dhe kroate që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, protestuesit mbanin në duar pankarta me shkrime të ndryshme si “Krimet serbe të luftës në Kosovë të pandëshkuara”, “Përdhunimi është një krim lufte” dhe “Një zë për ata që s’kanë zë”.
Mediat e huaja bëjnë me dije se pankartat i referoheshin edhe Rezolutës së vitit 1820 të Kombeve të Bashkuara, e cila shkruan se përdhunimi i përdorur si armë në kohën e luftës, është një krim luftë. Anëtarët kryesorë që ligjëruar në këtë protestë ishin Mark Gjonaj, një anëtar shqiptaro-amerikan i këshillit të qytetit të Nju Jorkut dhe Vafsije Krasniqi-Goodman, një e mbijetuar e përdhunimeve të kryera nga serbët në Kosovë.
Në thirrjet e protestuesve, thuhej se viktimat e dhunës seksuale janë më të margjinalizuarit gjatë dhe pas konfliktit, pasi kanë përjetuar për një kohë të gjatë dëme fizike dhe psikologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë