Gazeta Si – Banorë të Nivicës, Shën Vasilit, pronarë tokash në Kakome, emigrantë dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit protestuan këtë të diel në Gjirin e Kakomesë, duke shembur rrethimin që prej 22 vitesh mbante të izoluar një prej zonave më të bukura dhe më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Dy ditë para protestës së paralajmëruar ishte hequr porta metalike që pengonte hyrjen e qytetarëve në këtë zonë.
Mes thirrjeve kundër asaj që e cilësuan si grabitje të pronave, protestuesit deklaruan se nuk do të lejojnë që tokat e trashëguara ndër breza të zaptohen nga oligarkë apo investitorë të favorizuar politikisht.
Prona në Kakome administrohet prej rreth 18 vitesh nga kompania “Riviera”, e cila e ka marrë me qira për 99 vite nga shteti shqiptar gjatë qeverisjes së Sali Berishës, në një proces që ka ngjallur debate dhe kundërshtime ndër vite.
Kakomeja ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike. “Tokat e të parëve do t’i mbrojmë me gjak”, u shprehën ata gjatë protestës.
Banorët kujtuan se beteja ligjore për Kakomenë vazhdon prej vitit 2004, duke u shndërruar në një nga konfliktet më të gjata të pronësisë në jug të vendit.
Ata thanë se gjatë këtyre më shumë se dy dekadave janë zhgënjyer nga të gjitha forcat politike, të cilat sipas tyre kanë premtuar zgjidhje, por nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare për çështjen e pronave.
Sipas protestuesve, bëhet fjalë për rreth 29 mijë hektarë tokë, për të cilat proceset administrative dhe ligjore vijojnë prej më shumë se 20 vitesh.
Ata shtuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe paralajmëruan vazhdimin e protestave deri në njohjen e plotë të të drejtave të pronësisë mbi tokat që i konsiderojnë trashëgimi të të parëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje