Mjedis

Protestat për klimën: Askush nuk është i vogël për të bërë ndryshime të mëdha

Aktivistja suedeze, 16-vjeçarja Greta Thunberg thotë se protesta masive tregoi se askush nuk është i vogël për të bërë ndryshime të mëdha. Më shumë se 1.4 milionë adoleshentë në mbarë botën morën pjesë në protestë për të mbrojtur klimën. Që prej protestës së Greta Thunberg, adoleshentes që nxiti protestën kundër ngrohjes globale gjatë vitit të kaluar, fëmijët e 2.233 shkollave në 128 vendeve dolën në protestë të premten. Ata paralajmëruan se protesta të ngjashme do të ketë edhe në muajt në vijim, më e afërta do të jetë më 15 prill.
Eyal Weintraub, nga Argjentina tha se adoleshentët kanë arritur në një pikë ku kanë kapacitet teknik për të zgjidhur varfërinë, pabarazinë dhe normalisht ngrohjen globale.
Grevat e frymëzuara nga Thunberg kanë nxitur reagime të shumta. Disa prej tyre pozitive dhe disa të tjera negativë. Shoqata ndërkombëtare "Un Women" me anë të një postimi në Twitter, është shprehur se këto protesta janë një dëshmi e madhe se duhet t’i besojmë brezit të ri për një të ardhme të qëndrueshme.
Drejtori i "Oxfam International", Winnie Byanymia tha se fëmijët tanë po lënë mësimin, duke na treguar se kemi dështuar. Sipas saj, kjo është një lloj energjie që na duhet.

Por, edhe pse shumica e njerëzve janë solidarizuar me fëmijët, ministrat e Arsimit në Britaninë e Madhe dhe Australi i dënuan protestat dhe ishin kritikë në komentet e tyre, duke mos miratuar protestën e së premtes. Gjithashtu edhe Madeline Grant nga Instituti Ekonomik në Britaninë e Madhe, është shprehur se nuk është mirë që të përgëzojmë fëmijët se anulojnë mësimin dhe dalin në rrugë për të protestuar.
Ndërkohë që nuk kanë munguar as përgjigjet e Thunberg në rrjetet sociale. Ndër të tjera shkruan edhe se njerëzit vazhdimisht e pyesin se cila është zgjidhja për krizën klimaterike.
“Ata presin që unë të di përgjigjen. Kjo është absurde, pasi nuk ka zgjidhje brenda sistemeve tona aktuale. Ne kemi nevojë për një mënyrë krejtësisht të re të të menduarit. Sistemi politik që ju “të rriturit” keni krijuar është mbi konkurrencën. Ju mashtroni kur mundeni, sepse gjithçka ka të bëjë me fitimet që do të merrni, por kjo gjë duhet të përfundojë,” ka shkruar Thunberg. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë