Ngjarje

Protesta studentore, zbehet pjesëmarrja, por jo vendosmëria

Numri i protestuesve të tubuar para Kryeministrisë në ditën e 14-të të protestës studentore ishte më i vogël se ai i pjesëmarrësve të së hënës, kur studentët thërritën një protestë masive dhe grupe të tyre kërcënuan me përshkallëzim të protestës.

Gjithsesi, vendosmëria për t’i shkuar deri në fund kësaj proteste mbetej e njëjtë. Me t’u mbledhur para godinës së Qeverisë, një pjesë e protestuesve përsëritën skenarin e ndjekur për ditë me radhë para Ministrisë së Arsimit. Në drejtim të godinës u hodhën dhjetra vezë, që lanë gjurmët e tyre në muret kryeministrore dhe poshtë zyrës së Edi Ramës.

Rreth orës 11:00, një grup protestuesisht bllokuan kryeqëzimin e njohur si “21 Dhjetori”. Ata qëndruan për disa minuta aty dhe më pas një pjesë e tyre iu drejtuan Kryeministrisë për t’u bashkuar me grupin e madh.

Fjalimet vazhduan sipas traditës. Çdokush mund të merrte mikrofonin dhe t’u drejtohej bashkëmoshatarëve të tij për t’u dhënë kurajo dhe vendosmëri për t’u mos tërhequr pa realizimin e kërkesave të tyre, që tashmë janë bërë nëntë.

Kërkesa e nëntë lidhet me studentët me aftësi ndryshe, për të cilët tashmë kërkohet heqja e plotë e tarifave për këtë kategori.

Por, në tubim nuk mungonin nën zë edhe thirrjet për të kërkuar anulimin e plotë të ligjit për arsimin e lartë, megjithëse aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” thonë se në thelb plotësimi i kërkesave të parashtruara prej studentëve e rrëzon këtë ligj.

Edhe këtë të martë, studentët nuk përjashtojnë mundësinë e hyrjes në grevë urie, si hap pasaardhës i përshkallëzimit të mëtejshëm të protestës së tyre. Afati fillestar që ata kishin vendosur për Kryeministrin ishte dita e hënë dhe ajo ka skaduar.   

Megjithatë, për një pjesë të studentëve, protesta i ka vjelë frutet e saj që në ditën e 13-të. Ky grup sheh me pozitivitet gatishmërinë e Qeverisë dhe gjithë klasës politike, që tashmë po diskuton për arsimin në tërësi dhe për ligjin e lartë në veçanti.

Edhe dita e 14-të e protestës u shoqërua nga mosbesimi mes një pjese të protestuesve. Pjesëtarët e grupeve organizatore i druheshin infiltrimit përmes fjalimeve dhe thirrjeve të ndryshme të personave me agjenda partiake.

Sa i takon ftesës së Kryeministrit për dialog, studentët ripërsëritën refuzimin e saj duke thënë se kërkesat e tyre janë të qarta dhe se nuk pse të dialogohet për të. Por, një tjetër arsye se përse refuzohet dialogu është edhe frika se me të nisur ky proces, protesta mund të mpaket dhe të humbasë përmasat e kauzën e saj, por edhe mosbesimi tek një grup përfaqësues, që mund të devijojë, sipas studentëve, për shkak të presionit të Qeverisë.

Mes protestuesve zërat që bëjnë thirrje për një gamë më të gjerë kërkesash drejtuar klasës politike nuk mungojnë, por janë më të pakët në numër. Ky grup kërkon që të shfrytëzohet mundësia dhe të shtohet trysnia ndaj klasës politike edhe për shumë gjëra të tjera që shkojnë mbrapsht në këtë vend, që nga korrupsioni, shëndetësia e të tjera.

Për këta studentë, këto janë problemet kryesore të vendit dhe tarifat e arsimit bashkë me kushtet në të cilat ndodhet universitetet dhe shkollat shqiptare janë thjesht një derivat i keqqeverisjes prej 3 dekadash tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë