Mendim

Protesta që ngroh zemrat e shqiptarëve, teksa kriza ua zbraz xhepat dhe një këmbanë serioze alarmi për qeverinë

Për herë të parë që nga protestat e studenteve bulevardi "Dëshmorët e Kombit" përpara Kryeministrisë nuk ka parë kaq shumë njerëz të mbledhur spontanisht, pa asnjë organizim partiak për interesa të asnjë lideri politik të opozitës, apo qeverisë për hallin e secilit prej tyre, por për hallet dhe vuajtjet e gjithsecilit prej nesh që për një javë po sheh se si po kapin rekorde, që nga nafta, uji, buka, vaji dhe gjithçka tjetër përmban shporta e torba e pazarit të shqiptarëve.
Edi Rama mund të ketë shumë të drejtë kur thotë se nuk është qeveria që kontrollon çmimet, por kjo nuk e përjashton atë nga përgjegjësitë. Qeveria mund të ketë sërish të drejtë kur mendon se nuk është ajo që të diktojë çmimet e produkteve dhe nuk është absolutisht përgjegjësi e saj, në këtë sistem që kemi zgjedhur. Vetëm se në këtë sistem, roli i qeverisë nuk është diktimi apo rregullimi i tregut dhe çmimeve, është kontrolli mbi ata që abuzojë me çmimet. Dhe meqënëse prej dy vitesh jemi në "luftë", një herë me armikun e padukshëm e një herë me Ariun Rus, në "luftë" qeveria ka dy herë më shumë përgjegjësi që pasojat të mos i paguajnë qytetarët.
Në kohë "lufte" është rregullat nuk janë njësoj si në kohë paqeje dhe këtu qeveria duhet të ndërhyjë për të mos dëmtuar as bizneset dhe aq më tepër qyteterin. Shqiptarët, me pagat që kanë, e kanë të vështirë të përballojnë kostot e jetesës në kohë paqeje, në kohë lufte atëherë edhe atyre u lind e drejta të përgjigjen si në luftë nëse qeveria nuk lufton spekullantët, abuzimin dhe nuk merr masa për amortizimin e efekteve të krizës.
Jemi në kohë të vështira dhe me një javë tronditje të tregjeve ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet kërcyen sikur t'i kishte kafshuar ndonjë bishë e tërbuar. Eshtë e vërtetë se lufta dhe dhe kriza e çmimeve në tregje do të sjellë efektet e saj, por importuesit e naftës nuk e kanë blerë dje naftën ne tregje dhe as ata të miellit nuk e kanë zhdoganuar para një jave miellin sa për të marrë një shëmbull. Qeveria ka për detyrë dhe detyrim ti ndëshëkojë këta spekullantë, sepse çmimet e zhdoganimit të naftës, miellit, vajit, orizit dhe gjithçkaje tjetër i kanë si doganat dhe tatimet. Nëse tabelat e tyre tregojnë për dy muajt e fundit çmime normale në hyrje, nuk mundet që ne treg, në pikën fundore, qytetarët të paguajnë grukësinë e kompanive monopol të tregut, për të fituar në shitje dyfishin apo trefishin e kostos me të cilën e kanë blerë, përfshirë edhe detyrimet tatimore ndaj shtetit.
Shteti nuk mund të thotë kurrë se nuk mund të ndërhyjë, i ka të gjithë instrumentete e kontrollit dhe ndëshkimit për abuzuesit. Nëse Qeveria justifikohet me faktin se çmimet i vendos tregu, duhet të shohë punën e saj,se si e ka deformuar tregun me vendimet dhe favorizimet ndaj këtyre bizneseve që në rastin më të parë spekulojnë me viktimat e Ukrainës dhe janë gati të bëjnë viktima edhe në Shqipëri, duke ia lënë faturën qeverisë. Nëse qeveria do të pajtohej me këtë, kjo do të ishte edhe më e rëndë se kriza dhe lufta në Ukrainë. Do të vërtetonte atë se qeveria ka bërë pakte më parë me këto biznese të mëdha, me parimin, më mbaro këtë punë, të jap atë favor.
Kjo krizë, ky problem, kjo protestë, nga dlirësia, spontaniteti mund të ngjajë disi me atë të studentëve, por Edi Rama duhet ta marrë atë më seriozisht. Më saktë, duhet ta marrë vërtetë seriozisht dhe të mos merret me thirrjet "poshtë komunizmi" të ndonjë grupi politik që ka furnizuar me njerëz një tubim të shoqërisë civile. Këta janë të pashmangshëm në çdo protestë që nuk kontrollohet as nga Lulzim Basha, as nga Ilir Meta dhe as nga Sali Berisha për më tepër. Ata nuk ishin vetë aty të mërkurën, sepse e dijnë që prania e tyre do ta zbraste sheshin, kanë dërguar njerëzit e tyre, por nuk janë shumica. Shumica janë ata të cileve për një apo një mijë arsye u ka shkuar thika në palcë, që vuajnë kush naftën, kush bukën, kush koston e shtrenjtë të jetesës që nuk u lë asnjë qindarkë mënjanë për t'i plotësuar fëmijëve dëshirat minimale. Prandaj, kryeministri nëse do të merret me protestën nuk duhet të merret me asnjë nga ata që ka dalë aty për t'i bërë biografinë, por duhet të merret me ata që po i detyrojnë këta shqiptarë të protestojnë masivisht përpara kryeministrisë. Nuk e ka të vështirë, janë shumë pak dhe janë të njëjtën që kontrollojnë nga sektorët strategjikë, tek ato të qejfit. Dhe po abuzojnë me gjithçka sepse nuk i kontrollon askush.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë