Gazeta Si – Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me kritikat për menaxhimin e tubimit në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj para Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme gjatë seancës për verifikimin e masës së sigurisë.
Në një njoftim, policia thekson se objekti ku ushtrojn veprimtarinë dy institucionet e rëndësishme të drejtësisë, ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës.
Në reagimin e saj, policia thotë se nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, po edhe plotësisht efikase.
“Kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, po edhe plotësisht efikase. Për natyrën dhe qëllimet e punës sonë të përbashkët, është domosdoshmëri komunikimi institucional”.
Në njoftim theksohet se Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë njoftim nga individë apo subjekte, si dhe nuk ka grumbulluar informacione apo të dhëna për grumbullime të mundshme pranë godinës së SPAK-ut.
“Në këto kushte nuk është hartuar plan masash, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është vlerësuar situata dhe janë marrë masa duke reaguar në kohë, me angazhimin e një numri të konsiderueshëm punonjësish”.
Sipas DVP Tiranë, në kuadër të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore janë angazhuar në total 77 punonjës policie.
Policia shton se nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cënim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme.
“Qytetarët në datë 12 Shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, çka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar.“
Lidhur me bashkëpunimin me Gardën e Republikës, Policia e Shtetit thotë se është dhe do të mbetet tërësisht bashkëpunuese, duke koordinuar veprimet dhe shkëmbyer informacion lidhur me sigurimin e personaliteteve apo objekteve që ka në ruajtje Garda.
“Ashtu siç në fakt edhe ka ndodhur me hyrjen e një individi të gjinisë femërore me aftësi ndryshe brenda perimetrit, e cila është shoqëruar dhe proceduar në bazë të ligjit nga Policia”.
DVP Tiranë thotë se në lidhje me kritikat, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet përgjegjëse dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim, në rast se konstatohet ndonjë e metë.
Mëngjesin e 12 shkurtit dhe pasditen e po të njëjtës ditë, mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj u mblodhën në një tubim përballë Gjykatës së Posaçme, duke bllokuar hyrjen kryesore të saj, teksa në përfundim të seancës, ndaluan edhe kalimin e furgonit që shoqëronte kryebashkiakun drejt bllokut të sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.