Editorial

Protesta, pika e takimit të Berishës me Metën për të ecur secili veç e veç drejt pushtetit

Kryetarja e LSI-së, në opozitë, ka treguar dokumenta, emra biznesesh të përfshira (të dënuar edhe më parë) dhe administratorësh mbi 90 vjeç që vjedhin shtetin përmes faturimesh fiktive tek inceneratorët.

Copëzat e fakteve disa të reja e disa të vjetra, të sjella në një tablo të re dhe një kohë tjetër, marrin tjetër ngarkesë, qoftë emocionale, qoftë politike.

Brisida Shehaj, ish-drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, shkruan se hetimet që po dalin sot të inceneratorëve i ka firmosur ajo duke dhënë dëshmi se këto fakte janë njohur më parë nga institucionet, por tani janë rihedhur për publikun.

Gazeta “Tema” në editorialin e saj, e lidh fushatën e Kryemadhit me parapërgatitjet e mitingut të thirrur nga Berisha më 7 korrik. Aty Mero Baze shkruan se “Fakti që Kryemadhi i ka përmbledhur të gjitha në një tabelë me ngjyra, nuk është lajm i ri për SPAK, është lajm për protestën e 7 korrikut, për të imituar “bezen e kuqe” të kasetës së Ilir Metës për 21 janarin”.

Frrok Çupi, analist politik, tablonë e fakteve të shërbyer për publikun nga LSI, e shikon si një dëshmi se si Ilir Meta ende president në detyrë ka kapur institucionet e shtetit e veçanërisht SHISH-in.

Nën titullin “Kush e furnizon Monikën” ai shkruan sot “SHISH sot ndodhet në dorë të Monikës dhe Ilirit. Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët.”

Agim Nesho, ish-diplomat, në një botim tek Syri.tv, shkruan se “asnjë qeveri nuk mund t’i rezistojë një skandali të këtyre përmasave, me skema mafioze për të përfituar paratë publike, si skandali i denoncuar së fundmi nga LSI për abuzimin me 189 milionë euro. Që Shqipëria ka kohë që ka rrëshqitur nga demokracia dhe shteti ligjor, kjo është e qartë për çdo shqiptar, i cili e refuzon këtë fakt ose e pranon në heshtje në pamundësi për të ndryshuar gjendjen.”

Nëse do të pastronin këto dhe të tjera opinione, rreth kësaj çështjeje nën dritën e fakteve të Kryemadhit për të gjetur rrënjën e fjalës ajo është vetëm një, Inceneratorët.

Por a munden sot inceneratorët, që janë një skandal i madh edhe me aq prova dhe veprime që ka ndërmarrë drejtësia, të rrëzojnë Edi Ramën dhe të sjellin një lider të ri nga opozita në pushtet?

Kjo është e vështirë të ndodhë pasi para opozitës ka dy probleme të mëdha. Një është vetë Edi Rama që, siç thotë opozita, ka çimentuar fort pushtetin dhe e dyta çështja e liderit të ri opozitar.

E dyta nuk zgjidhet pa të parën, por edhe e para nuk mund të ndodhë nëse opozita nuk gjen paqen për të zgjedhur udhëheqësin që do të përbashkojë energjitë që duhen, aq të mëdha sa për të rrëzuar gjigandin Rama.

Opozita sot është e fragmentarizuar. Si e tillë, krijon mjaft shtigje përmes të cilave mund të penetrojnë udhëheqësit . Sali Berisha dhe Ilir Meta janë më të favorizuarit . Por sado bombë qoftë vjedhja përmes inceneratorëve, nuk mund të jetë bonus politik për të dy, sado intensivisht të denoncojë Monika.

Dy arsye fare të thjeshta për secilin: Sali Berisha ka të varur në qafë një gur të madh të fajësimit për korrupsion që minon demokracinë dhe për këtë shkak, amerikanët e shpallën nongrata, ndaj rrugëtimi i tij politik është shumë i vështirë.

Ai duhet të heqë grurin që të lehtësojë avancimin drejt kreut të PD-së dhe ndaj kërkon ndihmën e njerëzve protestues për të lehtësuar barrën.

Pjestarë të familja politike të Ilir Metës ndodhet në burg për inceneratorët. Vetë Meta ende nuk është pastruar në sytë e publikut as për kasetën që solli vrasjet e 21 janarit, as për faktin që përdori dhe zhvlerësoi Presidencën për qëllime të pastra politike, as se përdori institucionin më të lartë të shtetit për të goditur nga frëngjitë e tij Ambasadën Amerikane.

Të dyve u duhet një formë tjetër dhe jo inceneratorët.

Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër veç thirrjeve për të mbledhur sa më shumë njerëz në krah të tij dhe të demonstrojë se ai ka përkrahës. Ilir Meta ka dhe rrugë tjetër. Po të vini re gjatë këtyre ditëve të fundit, sa më shumë Monika Kryemadhi flet për vjedhjen, aq më shumë Ilir Meta përparon publikisht drejt një paqeje dhe afrimi me Ambasadën Amerikane. Pjesëmarrja e tij në disa evente dhe rritja e intensitetit të retorikës së LSI-së sado të duken, nuk janë aq të rastësishme.

Të dy po kanë strategji të ndryshme.

Por as Sali Berisha dhe as Ilir Metra nuk marrin dot opozitën veçmas dhe ca më keq të rrëzojnë pengesën e parë Edi Ramën, ndaj janë të detyruar të kenë një pikë takimi: Protestën për të arritur synimet individuale politike.

Të dy këta njerëz kanë kohë që e kanë vrarë frymën e protestës dhe njerëzit kanë të drejtë të dyshojnë se - ashtu siç edhe Basha kur i kishte në krah edhe Saliun edhe Ilirin me Monikën - po i thërrasin në shesh për të njëjtën arsye, fatin e tyre politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë