Ngjarje

Tubimi në Shkodër, procedohet Voltana Ademi dhe 17 minorenë, selia e PS riparohet brenda natës (fotot)

Policia e Shkodrës ka dalë me një njoftim zyrtar një ditë pas bastisjes së zyrave të selisë së PS-së ku mund të kuptohet shumëçka mbi mënyrën se si Policia do të procedojë për rastet e tjera të ngjashme, nëse do të ketë.

Së pari; Policia e Shkodrës ka hequr përgjegjësinë nga vetja, nëse do t’i referohemi denoncimit të një dite më parë nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, se ata nuk reaguan pas njoftimit nga kjo e fundit, kur po dhunohej selia e PS-së.

“Më datë 12.12.2020, rreth orës 11:00, në qendër të qytetit të Shkodrës është organizuar një tubim i paligjshëm. Gjatë marshimit një grup të miturish kanë thyer disa banderola në sheshin “Nënë Tereza” dhe kanë tentuar të kryejnë veprime të dhunshme, por janë penguar nga punonjësit e Policisë. Nga sendet e forta dhe lëndët piroteknike të përdorura nga këta persona është dëmtuar një punonjës policie.

Foto gjate bastisjes se zyrave te selise se PS, 12 dhjetor 2020

Më pas, pjesëmarrësit në tubim janë shpërndarë në disa grupe dhe drejtime të ndryshme. Një grup personash është drejtuar te selia e një subjekti politik. Disa persona të mitur kanë ushtuar veprime të dhunshme duke thyer e shkatërruar xhamat e dyert dhe më pas kanë nxjerrë dhe djegur orenditë që ndodheshin brenda godinës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për këtë arsye, janë proceduar  penalisht për shkak të moshës 17 minorene për shkatërrim prone.

Së dyti; Policia ka proceduar penalisht edhe kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Aademi për organizim të paligjshëm.  

“Po në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht për "Shpërdorim detyre", dy punonjës të repartit zjarrfikës, shtetasit T. M. dhe R. B., të cilët ishin në shërbim dhe kanë reaguar me vonesë pas njoftimit të bërë nga Salla Operative për të ndërhyrë në shuarjen e zjarrit para godinës së një subjekti politik”, thuhet në njoftim.

Policia Shkodër apelon për të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të marrin pjesë në tubime dhe të përfshihen në veprime të dhunshme. Ajo paralajmëron gjithashtu se nuk do të lejohen më tubime (të paligjshme), “aq më tepër në këtë kohë pandemie sepse është rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve”.

Ndërkohë, zyrat e selisë së PS Shkodër janë riparuar brenda natës, njoftoi drejtuesi i qarkut të PS-së për Shkodrën nga PS, Ilir Beqaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë