Analize

Protesta në Itali, jelek-portokallinjtë: Covid-19 nuk ekziston

Në Italinë fqinje kanë shpërthyer një sërë protestash që pretendojnë se pandemia e Covid-19 është një farsë dhe se virusi nuk është i rrezikshëm. Ato po udhëhiqen nga një lëvizje që po e quajnë veten jelek-portokallinjtë, e cila po bën thirrje madje që njerëzit të mos vaksinohen.

Gati dy vite pasi protestat e jelekverdhëve ngritën në këmbë Francën, protestuesit italianë janë shfaqur në sheshe veshur me jelekë ngjyrë portokalli.

Disa janë të zemëruar me kryeministrin Giuseppe Conte dhe qeverinë e tij për trajtimin e krizës së koronavirusit. Të tjerët janë të shqetësuar për vaksinat, për të cilat ata thonë se do të injektojnë merkur në venat e njerëzve, sistemin gjyqësor ose teknologjinë 5G.

Disa thonë se masat e bllokimit më shumë i kanë dëmtuar sesa ndihmuar. Ajo që i bashkon është një ndjenjë zemërimi dhe një figurë karizmatike, Antonio Pappalardo, një ish-karabinier i njohur si "gjenerali".

Në një miting në Romë për të shënuar Ditën e Republikës së Italisë më 2 qershor, Pappalardo veshi një xhaketë të ndritshme portokalli dhe drejtoi turmën në thirrjet “liri!” “liri!” Ish- gjenerali është duke mbledhur njerëz rreth vetes me retorika populiste dhe nacionaliste. Ai premtoi se do t'ia kthejë pushtetin njerëzve. Ai fyen qeverinë. Ai po ashtu sulmoi politikanë dhe figura të profilit të lartë, përfshirë Vasco Rossi, një nga yjet më të famshëm të rock-ut në Itali.

Në turmë, njerëzit bërtisnin, "kundër vaksinës së Bill Gates" dhe "5G po na vret të gjithëve", dhe përqafuan njëri-tjetrin me insistimin e gjeneralit se Covid-19 nuk është një kërcënim i vërtetë. Ata nuk veshin maska, dhe Pappalardo u bëri thirri të mos veshin duke u thënë: "Unë nuk mund shoh një grua në fytyrë pa e ditur nëse është e bukur apo e shëmtuar".

Pappalardo, i cili është 73 vjeç, shërbeu për pak kohë në parlamentin italian në fillim të viteve 1990, para se të themelonte “Gilet Arancioni”, ose jelek-portokallinjtë, vitin e kaluar.


Frymëzimin për ngritjen e kësaj lëvizjeje Pappalardo e gjeti në vitin 2019 pas një takimi me Didier Tauzin, një ish gjeneral francez me lidhje të ngushta me jelek-verdhët e Francës. "Kur u takuam, ne thamë se së bashku mund të revolucionarizojmë Europën," tha Pappalardo.

Por përzierja e zhgënjimit dhe frikës na koronavirusi e ka vendosur Pappalardo në hartën politike. Jelek-portokallinjtë kanë tre qëllime kryesore.

Së pari, të rrëzojë qeverinë e Conte, të cilën ai akuzon se shkatërroi ekonominë e vendit duke i mbyllur italianët në shtëpitë e tyre për muaj të tërë "pa arsye". Së dyti, të nxjerrë Italinë nga Bashkimi Europian. Dhe së treti, të përhapë mesazhin se COVID-19 po përdoret si një justifikim për abuzimin me pushtetin dhe se është thjesht një grip.

Lëvizja e re është përballur me kritika të ashpra nga i gjithë spektri politik.

"Unë kam turp për ta dhe mungesën e respektit për të gjithë viktimat, për ata që kanë humbur të dashurit," tha Cristina Longhini, një farmaciste nga Bergamo, babai i të cilës vdiq nga COVID-19.

"Sipas jelek-portokallinjve , ne po qajmë për diçka që nuk ndodhi?" , pyet ajo.

Në Milano, i cili gjithashtu u godit nga protestat e jelek-portokallinjëve këtë javë, kryebashkiaku i majtë Giuseppe Sala e quajti tubimin "një veprim të papërgjegjshmësh" ndërsa qyteti është ende në një "situatë të vështirë".

“Mohimi i pandemisë duhet të jetë një krim”, tha Luca Zaia, guvernatori i Venetos, në një transmetim televiziv këtë javë, duke krahasuar deklaratat e Papparlardo me mohimin e Holokaustit. "Unë jam për lirinë e mendimit, por ka një kufi përtej të cilit nuk mund të shkosh," tha politikani i Lega Nord.

Drejtuesit e ekstremit të djathtë Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni, kreu i Fratelli d’Italia, po ashtu kanë protestuar, por me kujdes. Disa orë para se Pappalardo të merrte skenën në Romë, ata ishin shfaqur në të njëjtin shesh për të protestuar kundër qeverisë Conte, për mënyrën sesi qeveria e tij e trajtoi pandemisë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë