Lajme

Protesta, Meta dhe OSBE: Dhuna, e papranueshme

Në prag të nisjes së protestës së gjashtë kombëtare të opozitës, presidenti Ilir Meta ka bërë apel të fortë për partitë organizatore dhe për qytetarët, ku u kërkon që tubimi i tyre të jetë paqësor dhe mos të përdorin akte dhune.
Në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit thekson se protestat në një vend demokratik janë fondamentale dhe një e drejtë kushtetuese, ndërsa shton se ato rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënien e pushtetit për ta.
Kështu për herë të parë, presidenti Meta rreshtohet publikisht në krah të ndërkombëtarëve dhe të gjithë zërave brenda dhe jashtë vendit që dënojnë dhunën gjatë protestave të opozitës.
“Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cenohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar.
Është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës së bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë”, thuhet në deklaratë.
Thirrjes për një tubim paqësor e pa dhunë u është bashkuar edhe OSBE.
Me një deklaratë për mediat, OSBE-së ka bërë thirrje për protestë paqësore. Gjithashtu thekson se reagimi i tepruar i efektivëve të Policisë së Shtetit nuk mund të pranohet, ndërsa dënon me forcë deklaratat për derdhje gjaku pak ditë para protestës kombëtare të opozitës së bashkuar.

“Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë