Ngjarje

Protesta mbetet e studentëve: S’ka dialog me meme-kryeministrin

Mes studentëve është ngritur një kod i heshtur organizimi proteste. Sondazhet e zhvilluara në rrjetet sociale vendosin për vendin dhe orën në të cilën niset protesta. Por, në fund të ditës së 12-të të protestës në rrjetet sociale qarkulluan dy njoftime.

I pari i qëndronte besnik orarit të nisjes së protestës. Në të njoftoheshin të gjithë studentët që pas grumbullimit nëpër fakultetet përkatëse të marshonin në drejtim të Kryeministrisë, ku duhej të ndaleshin në orën 10:00.   

Njoftimi i dytë ndryshonte nga i pari. Edhe në të bëhej thirrje për t’u grumbulluar në fakultetet përkatëse, por ora e grumbullimit para Kryeministrisë ishte vendosur ora 11:00 dhe ora 14:30 ora e përfundimit të manifestimit. Aty theksohej vendosja e një sistemi audio dhe një podiumi të përbashkët dhe thirrja për t’iu bashkuar fjalimeve edhe qytetarë të ndryshëm për të folur për problemet e tyre.

Kjo mungesë koordinimi u pasqyrua në ditën e 13-të. Në orën 10:00 të paradites së të hënës para Kryeministrisë nuk kishte një numër të madh protestuesish dhe as një sistem audio të njësuar. Mes studentëve të grumbulluar kishte edhe aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin”, ndërkohë që në ndryshim nga ditët e tjera, numri i qytetarëve që kishin dalë në krah të studentëve ishte më i madh.

Pak para orës 11:00 u bënë provat e fundit të sistemit audio dhe më pas protestës iu bashkuan studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Universitetit të Mjekësisë. Turma u dyfishua dhe manifestimi rifitoi përmasat e tubimeve të zhvilluara para Ministrisë së Arsimit.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/273780429987550/

Si gjithmonë organizatorët u ndanë në disa grupe dhe që të gjithë mosbesues ndaj njëri tjetrit dhe të kujdesshëm për të mos lejuar persona “të dyshimtë” për të marrë fjalën. Nuk munguan as incidentet, kur për të thënë dy fjalë shfaqej ndonjë qytetar a qytetare studentët që zotëronin mikrofonin kërkonin më parë garanci që fjalimet të mos zhvendoseshin nga agjenda e tyre.

Aq i thellë ishte mosbesimi, sa protestuesit nuk lejuan as ish-zv.ministrin e Arsimit, Taulant Muka që të mbante fjalim, megjithëse Muka është shfaqur mjaft aktiv në rrjetet sociale në mbështetje të kauzës së studentëve, sidomos të pikës për vettingun në arsimin e lartë.

Por, edhe qytetarët e tjerë kalonin përmes një filtri të ngritur aty për aty nga studentët, si në rastin e videos më poshtë të këtij qytetari nga Mati, i cili kërkoi të flasë dhe vetëm pasi studentët i siguruan se për çfarë do të fliste ja lejuan fjalën.

“Kjo është protestë e studentëve. Këtu janë studentët dhe këtu është e gjithë Shqipëria. Ne kërkojmë të na plotësohen 8 kërkesat tona. Po, kërkesat tona janë politike, por jo partiake”, deklaroi njëri prej studentëve.

Fjalën e morën me radhë edhe studentë të tjerë, mes të cilëve edhe një studente e Universitetit të Mjekësisë, që ironizoi postimet në rrjetet sociale të Kryeministrit dhe ftesën e tij për dialog.

“Do të hysh në histori si Story Instagrami. Ne sot nuk dimë nëse jemi duke folur me një Kryeministër apo një meme”, deklaroi studentja.   

Pjesa e dytë e fjalisë ironizonte thelbësisht postimet e shpeshta të Kryeministrit fans të memeve në rrjetet sociale, ndërsa pjesa e parë shpërfaq krahasimisht se si do të hyjë Kryeministri në histori, duke ironizuar me kohëzgjatjen e “Story” në Instagram, që është 24 orë.

Fjalën e morën edhe qytetarë të ndryshëm. Ata u dolën në krah studentëve duke u dhënë kurajo që të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre. “Ju na dhatë shpresë”, tha njëri prej tyre, duke iu drejtuar studentëve.

Rreth mesditës nuk munguan incidentet. Njëri prej personave në mes të turmës hedh një tymuese në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Menjëherë studentët e tjera që e panë këtë veprim kërkuan largimin e tij.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/472875123240581/

Ky ishte incidenti i parë. Në incidentin e dytë u përfshi një grup më i madh të rinjsh. Ata kërkuan që të çanin perimetrin e vendosur nga Policia e Shtetit në Bulevard për të kaluar në lulishten mes Kryeministrisë dhe ish-Piramidës. Pati edhe një përleshje të zbehtë me forcat e rendit në këtë pjesë, por që u shua shpejt falë ndërhyrjes së studentëve të tjerë, që i dolën kundër grupit të të rinjëve në fjalë.

Pjesa dërrmuese e studentëve i qëndron bindjes së manifestimeve të paqta, por mes tyre ka të rinjë që kërkojnë një formë me agresive, ndoshta edhe si shenjë nervizizmi nga dalja e vazhdueshme në protestë.

Protesta u shoqërua me akuza e kundërakuza mes klasës politike për përdorim të saj. Kryeministri akuzon opozitën se e kapi zyrtarisht, ndërsa Lulzim Basha e cilësoi propagandë të shefi të qeverisë. Në terren, ajo që mund të thuhet është se, edhe pse me pak incidente të vogla, protesta ishte e studentëve edhe në ditën e 13-të të saj.

Përplasja në distancë Rama-Basha

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një foto të shkrepur nga lart në momentet e para të protestës, kur poshtë zyrës së tij nuk ishin mbledhur ende të gjithë studentët protestues. Në mbishkrimin e imazhit të publikuar fliste për kapje edhe zyrtarisht të protestës nga ana e opozitës.

https://www.instagram.com/p/BrfBGiTgYkT/?utm_source=ig_share_sheet&igshid=ea5w6vn1c0yh

“Forumet e Doktorresh Monës e Lul Artistit që bëjnë si studentë jashtë politikës dhe militantë të PDLSI që bëjnë si familjarë studentësh, zyrtarizuan sot pengmarrjen e protestës. Sharrat e Doktorresh Monës dhe britmat në gjumë të Lul Artistit, e gjymtuan si s'ka më keq protestën tuaj! Por unë dhe ju që s'jeni më aty, jo vetëm që s'do t'i lemë pa adresuar ato 8 pika, po do të bëjmë shumë më shumë se aq së bashku. Ditët po na ikin shpejt e festat po vijnë, prandaj mos rrini po dukuni dhe t'ia nisim punës me dialog, këmbëngulje dhe bashkëpunim për universitetin”, shkruan Kryeministri.

Lulzim Basha i ktheu përgjigje pas përfundimit të takimit që zhvilloi me grupin parlamentar demokrat në selinë e PD-së. Ai i cilësoi deklaratat e Ramës propagandë dhe përjashtoi mundësinë që personalisht të shfaqej në protestën e studentëve.

“Kjo është një protestë e studentëve. Kundërshtari po mundohet të instrumentalizojë politikisht këtë çështje. Por nuk ka nevojë që të bëjmë akte protagonizmi për t’i shërbyer propagandës së ndyrë të Edi Ramës, i cili prej 13 ditësh po torturon të rinjtë që kanë një kërkesë të thjeshtë të plotësojë 8 kërkesat. Ne mbështesim studentët”, u shpreh ai.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/268557547151106/

Basha i cilësoi propagandë të mediave të blera nga Qeveria lajmet se studentët refuzojnë përfaqësuesit e opozitës në protestë.

“Këto janë mashtrime të televizioneve të blera nga qeveria me tendera korruptivë, televizione të krijuara me tenderat korruptivë, që mundohet ta paraqesin këtë si një protestë apolitike. Kjo është një protestë thellësisht politike, natyrisht jo partiake, por është një protestë kundër një ligji korruptiv për arsimin e lartë që e ka sjellë deri këtu gjendjen. Mediat në vend që të tregojnë të vërtetën, mundohen të sjellin shenjën e barazimit, sepse Edi Rama i paguan dhe opozita u prish punë se e denoncon pronarët e këtyre mediave që janë të përfshirë tek Unaza, denoncon pronarët që bëjnë pazare natën me Edi Ramën”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë