Ngjarje

Protesta e studentëve, si e rrëzoi makinerinë e propagandës

Mentor Kasa - Protesta studentore u mbyll këtë vit me premtimin e rikthimit edhe më e fuqishme për në ditët e para të janarit, të paktën sipas postimeve në rrjetet sociale dhe deklaratave të bëra nga disa prej grupeve organizatore të kësaj proteste. Nga dhjetori në janar janë ditët pushimit festiv në mes dhe deri atëherë vështirë se mund të parashikohet nëse vërtet do të ketë sërish protestë apo jo.

Por, një bilanc i 16 ditëve tubime mund të bëhet edhe tani. Studentët ia dolën mbanë që të detyronin Kryeministrin, pavarësisht se hera-herës fliste për kapje të protestës nga opozita, që pasi i quajti “ngelësa”, t’u njihte si plotësisht të drejta kërkesat që ata parashtruan për zgjidhje, që nga kushtet në auditore e konvikte, e deri tek tarifat që paguanin për arsimimin e tyre.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/730978080599007/

Kjo ishte fitorja e parë dhe ekskluzivisht e studentëve. Po qytetarët e tjerë çfarë fituan nga kjo protestë? Fitorja e madhe e shqiptarëve është se tubimet disaditore vranë propagandën. Nuk janë të largëta kohët e takimeve të Kryeministrit me qytetarët në kuadër të turit të llogaridhënies, apo bashkëqeverisjes me qytetarët, që të dyja të transmetuara drejtpërdrejt dhe eksluzivisht në ERTV përmes Facebook-ut.

Në kohën kur ishte kongresist, Bernie Sanders sfidonte kreun e Federal Reserve në atë periudhë, Alan Greenspan që të takohej me “qytetarët e vërtetë” përpara se të formulonte politikat monetare, sepse takimet me “elitat politike e të sipërmarrjes dhe koktejlet e konsumuara me ta janë një përjashtim dhe jo realiteti”.

Të ngjashme me takimet dhe konsultimet e Alan Greenspan ishin edhe takimet e Kryeministrit me qytetarët nga Vermoshi në Konispol. Struktura të Partisë Socialiste dhe të administratës vendore e qendrore mobilizoheshin disa ditë përpara se në zonën e tyre të mbërrinte kreu i Qeverisë. Rezultati: përballë Edi Ramës, në tryezat shpesh të improvizuara në natyrë, nuk uleshin qytetarët, ata që vërtet kishin halle, ata që e njihnin realitetin më mirë, por uleshin punonjës bashkish e militantë partiakë që i paraqisnin një tablo plot më ngjyra.

Rasti tipik i kësaj tabloje false do të shfaqej gjatë takimeve të Kryeministrit me qytetarët në Cërrik. “Po ai Check-up bëhet sa për të kaluar radhën. Ata nuk kishin as aparat tensioni për të matur”, deklaronte përballë Kryeministrit shtetasja, Bukurie Braka.

Bukurie Braka gjate turit te llogaridhenies se Kryeministrit ne Cerrik

Më vonë, Bukurie Braka rrëfeu se ishte bërë pjesë e skenarit pas një oferte nga zyrtarët e PS-së së Cërrikut, me të cilët kishte rënë dakord që ta pyeste Edi Ramën për çështjet e legalizimit. Sipas rrëfimit të saj, për të qenë të sigurtë se ajo do të bindej, një natë më parë i kishin dërguar në shtëpi dokumentet e legalizimit të banesës, të cilat ajo dhe familja e saj e prisnin prej vitesh.

Rasti i Bukuries ishte më i freskëti, por jo i vetmi. Është i njohur gjithashtu edhe rasti i një fshatari në zonën e Patosit, i cili në vend të përgjigjes pas këmbënguljes për të dialoguar me kryeministrin e tij mori fjalinë “Si e ke gruan?”. Kryeministri e “korrigjoi” shpejt fjalinë duke i thënë se pas pyetjes së tij nuk qendronte asnjë nënkuptim. “E di pse pyes, se ajo duhet të marë titullin heroinë që të duron ty”, vazhdoi Rama.

Herë publikisht, e herë si thashetheme në rrjetet sociale, së bashku me turin e llogaridhënies së “Rilindjes”, qarkulluan histori të ngjashme nëpër rrjetet sociale. Kryeministri u përpoq që ashtu siç u përvishej qytetarëve që e kritikonin në sy të kamerave në këtë tur, të përballej edhe me studentët.

Por, këtë herë skema nuk funksionoi. Përballë gjeti vendosmërinë e studentëve për të mos dialoguar me të për 8 kërkesat e tyre. Përmes rrjeteve sociale dhe memeve në kufijtë e qesharakes, Kryeministri Edi Rama u përpoq të futej në mentalitetin e të rinjve dhe t’i joshte ata në tryezën e dialogut. Në vetvete, dialogu nuk ka asgjë të keqe, por nisur nga historiku i dialogut të studentëve, pedagogëve dhe dekanit të Fakultetit të Gjeologji-Minierës, protestuesit përforconin edhe më fort bindjen e tyre për të mos u ulur në tryezë.

Si zgjidhje, Kryeministri zgjodhi të shfaqej i paftuar në auditoret e universiteteve shqiptare. E nisi pikërisht me Gjeologji-Minierën. Takimi nuk u transmetua drejpërdrejtë në ERTV, por disa orë më vonë. Pasi u shfaqën pamjet me hashtagun #dialogmestudentët në rrjetet sociale plasi ironia. Studentët protestues thanë se nuk kishin zgjedhur një përfaqësi për të dialoguar me kreun e qeverisë dhe se takimi i tij ishte propagandë. Por, Edi Rama këmbënguli dhe këtë herë e vazhdoi dialogun me Universitetin Bujqësor. Takimin zgjodhi që ta transmetonte drejtpërdrejtë.

"Rektori na kishte njoftuar për një takim me studentë dhe pedagogë, nuk na tha që do vinit ju këtu. Unë jam kundër kësaj përçarjeje që po përpiqeni të bëni ju. Prandaj jam e para që do të braktis mbledhjen, sepse rektori na ka gënjyer”, deklaroi një studente.

Studentja e Universitetit Bujqesor qe tha se nuk ishte ne dijeni te takimit me Kryeministrin

Vetë Kryeministri tha se nuk ishte në dijeni të kësaj dhe a kaloi topin rektorit të universitetit. Një ditë më vonë, Rama do të shfaqej në Universitetin e Vlorës. Kur mbërriti ai, salla ishte e mbushur, por jo vetëm me studentë. Një grup prej tyre i zunë derën hyrëse dhe në debat e sipër i thanë se salla ishte e mbushur me FRESH-istë e gjimnazistë dhe jo me studentë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/502536393572266/

Kryeministri u dorëzua dhe pranoi që të lejonte të gjithë grupin jashtë që të hynte në sallë. Këtu debati do të niste me tarifat dhe planet e qeverisë për universitetin dhe do të përfundonte me burimet financiare të shtëpisë së Kryeministrit në Surrel.

Në formë demonstrative, një grup studentësh braktisën sallën, ashtu siç kishin bërë më parë bashkëmoshtarët e tyre të Universitetit Bujqësor. E njëjta skenë do të përsëritej edhe në takimin e shefit të qeverisë me studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës e Urbanistikës. Edhe këtu, një grup të rinjsh iu kundërvunë dhe braktisën sallën në shenjë proteste.

Në të gjitha rastet, lajmet që qarkulluan në një pjesë të mediave “zbulonin” lidhjet partiake të të rinjve që i kundërviheshin Kryeministrit dhe shumë pak thelbin e debateve. Thelbi në këto ditë është rënia e gjithë makinerisë së propagandës së Qeverisë, duke nisur që nga komentet e rreme në rrjetet sociale, e deri tek takimet fasadë me qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë