Ngjarje

Protesta e fundeve…

Sabina Veizaj- “Mënyra se si ne jetojmë në një shoqëri patriarkale, është e rrezikshme për shoqërinë”- do të thoshte në vitet “60-70” poetja me influencë dhe aktivistja feministe amerikane Adrianne Rich.

Në ato vite ajo do të zbulonte identitetin e saj të vërtetë seksual me prirje homoseksuale pas një martese 17-vjeçare dhe tre fëmijëve. Nga aty, Rich do të niste luftën e hapur feministe të fokusuar në mbrojtjen e homoseksualizmit femëror.

Nëse sot Adrienne Rich do të ishte gjallë; gati 50 vjetë më vonë, në anën tjetër të oqeanit, në një vend europian si Shqipëria, kur do të dëgjonte se vajzat dhe gratë në vendin tonë vriten për shëtitje në mbrëmje, se kanë një të dashur të huaj aty ku ndodhen në emigrim, apo për një birrë në darkë, do të ligështohej sepse nuk paskësh luftuar mjaftueshëm edhe për gratë e Ballkanit…

Por, një tis feminist e pat të hënën edhe rifillimi i protestës studentore.
Vajzat e “Lëvizjes për Universitetin” të cilat udhëhoqën protestën në ditën e 33-të të saj në mënyrë simbolike kishin veshur funde.

Të nxitura edhe nga ngjarjet e fundit makabre ku kanë gjetur vdekjen e dhimbshme tre gra, studentet e “Lëvizjes për Universitetin” kërkuan mundësi të barabartë për të gjitha vajzat anembanë Shqipërisë për tu arsimuar në Universitet, për të qenë të pavarura dhe të mos bien pre e injorancës dhe skllavërisë mashkullore të prapambetur.

Ditën e mërkurë, datën 2 janar një shqiptar në Korfuz vrau vajzën e tij 28-vjeçare dhe më pas fshehu trupin e saj në kopshtin e shtëpisë.

Angjeliki Pjetri ka humbur jetën pas goditjeve të forta me armë të ftohta në kokë nga i ati i saj sepse ajo shoqërohej me një djalë afgan.

Dy motra kanë qenë pre e një tjetër krimi në familje ditët e para të janarit në Ballësh. Burri ka vrarë gruan dhe motrën e saj, pas një debati në familje ku shkak është bërë kërkesa e 31-vjeçares për të shkuar tek prindërit e saj për festat.

Protesta e të hënës u është dedikuar edhe këtyre ngjarjeve dhe të tjerave të ngjashme me të.

“Shumë vajzave u pamundësohet ardhja në universitet; kjo për shkak të mentalitetit, kushteve ekonomike, etj. Kjo është një mënyrë simbolike të protestuari sot për të treguar se fundi, fustani apo xhinset e grisura nuk na bëjnë më pak student, përkundrazi jemi studentë shumë të mirë e mes nesh ka shumë syresh ekselente. Ne kemi një zë shumë të fuqishëm në këtë protestë. Nëse një vajzë nuk shkollohet, ajo është e detyruar të qëndrojë në shtëpi ose ti gjejë babai një burrë. Shoqëria jonë i dënon vajzat, është shumë e ashëpr ndaj tyre.”- u shpreh Albina Ruko.

Liri Kuçi një nga studentet protestuese shkruan në llogarinë e saj në Facebook se “Në historikun e protestave për Arsimin e Lartë në Shqipëri prej vitit 2014, prania e vajzave ka qenë frymëzim më vete.

Liri Kuçi

“Sot, gruaja endet e nëpërkëmbur në shoqëri,-vijon ajo, kësisoj arsimimi veçanërisht është i rëndësishëm për vajzat, për të shpëtuar prej rolit “biologjik” apo edhe tradicional që i mvishet. Në ditë të tilla kur modelet që i serviren për zhvillim janë tejet të cungëta; më i përhapuri ngelet roli i nënës së devotshme, një gruaje zëmbytur për hir të një “familjeje të shëndoshë” – së cilës i duhet të heqë dorë nga vazhdimi i studimeve fill pas gjimnazit.
Sakaq, ende imponohen mënyrat për të qenë të sa më e moralshme; të folurit, të sjellurit, të veshurit. E nëse një vajzë vesh minifund, fustan apo dekolte, atëherë medoemos ajo po e bën enkas për të provokuar apo ndjellë burrin. Zakonshëm kështu justifikohen paragjykimet, kanosjet apo përdhunimet; Ajo provokoi. (Në këtë rast NE!)”

Liria thekson se “Historinë deri më tash e kanë shkruar të tjerët për ne, nga sot do të jemi ne ATO që do të shkruajmë e flasim për veten.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë