Ngjarje

Protesta, 1700 policët që presin një rrogë shpërblim

“Me gëzim dal në protestë”, kështu mund të përshkruhet gjendja emocionale e policëve, të cilët pas 11 majit u radhitën në kordonë edhe gjatë dy protestave të tjera të mëpasshme, njëra e zhvilluar më 12 maj dhe tjetra më datë 25 maj. Madje kishte nga ata që kishin marrë bukë e ujë me vete. I gjithë ky optimizëm policëve u buronte jo vetëm nga premtimi i kryepolicit Ardi Veliu, i cili pa u larguar akoma era e gazit nga Tirana deklaroi se do t’ju jepte vartësve një rrogë shpërblim.

Ky tingëlloi një lajm shumë i mirë për çdo polic, i cili qëndron i palëvizur për orë të tëra, ndërsa mbi krye i fluturonin bombat molotov apo copa gurësh. Aq më tepër që rrogat reale të policëve, edhe pse sipas gradave vazhdojnë të jenë mjaft të ulëta.

Në protestën e 11 majit ku përgjatë 7 orëve demonstratë u kulmua me veprime të dhunshme dhe bomba molotov, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi dhënien e një rroge shtesë për çdo polic që ishte në detyrë atë natë. Ky urdhër iu delegua për zbatim tri departamenteve dhe konkretisht, departamentit për krimet e rënda, departamentit për sigurinë publike dhe drejtorisë së personelit. Por edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë pune nga afati normal për kthim përgjigjeje, akoma policëve nuk ju është hedhur bonusi i premtuar. Ky urdhër ka ngelur vetëm në letër, duke i lënë policët të ëndërrojnë me sy hapur. Deri tani efektivët që u gjendën në gatishmëri atë ditë kanë marrë vetëm rrogën bazë të muajit prill. Siç tregon një burim pranë Drejtorisë së përgjithshme për Gazeta Si, nuk konfirmohet ende se kur do t’u jepet policëve bonusi i premtuar sipas urdhrit të firmosur nga kryepolici Ardi Veliu. Por ka dyshime se vonesa nuk lidhet thjesht dhe vetëm me burokracitë e zyrave shtetërore. Ardi Veliu e nxori shkresën për shpërblim në datën 12 maj, pra pak orë pas protestës së 11 majit dhe siç ngjan, nuk e kishte llogaritur mirë se në shërbim gjatë protestës së 11 majit ishin 1700 forca, që do të thotë goxha para nga buxheti i policisë. Deri tani si justifikim policëve ju është thënë se është ngritur një grup pune i posaçëm për të verifikuar një më një urdhrat e shërbimit dhe emrat e policëve që ishin në detyrë në protestën e dhunshme, ashtu siç janë gjendur në shërbim që prej datës 16 shkurt, sa në Kryeministri e sa pas Kryeministrisë.

Në të vërtetë ajo që u pa më 11 maj ishte se disa persona hodhën bomba molotov, duke rrezikuar edhe jetën e policëve që kishin formuar kordonë. 16 punonjës të Policisë së Shtetit u plagosën, por asnjëri prej tyre veç vizitës në spital, nuk ka marrë ende, siç do ishte e drejtë, një falënderim për kryerjen e misionit të policit.


Protesta politike të ndryshme, policë të njëjtë
Në fakt siç dihet, efektivët e policisë janë të njëjtët që sa herë ndodh rotacioni politik, ata garantojnë rendin, goditen dhe shpesh kanë mbetur edhe të lënduar, sikurse ishte edhe protesta e 21 janarit 2011 ku mbetën të dëmtuar nga protestuesit mbi 80 efektivë policie. E vetmja gjë që ndryshon për policët është fryma e drejtuesve në polici, që kur ndryshon politika, shpesh këta drejtues kthehen në protestues dhe madje edhe kundër dhe ndaj ish-vartësve të tyre. Policë rendi ose jo, ata vihen në radhë sipas urdhrave të eprorëve të radhës, derisa sheshet zbrazen dhe kordonët shpërbëhen, nga policë që largohen drejt qendrave të banimit ose në këmbë, ose me biçikleta ose merren nga furgonët dhe i grumbullojnë në komisariate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë