Ka ndodhur

Pronarët e mjeteve lundruese, protestë para policisë kufitare në Vlorë: E kemi lakun në fyt nëse nuk punojmë

Nga Gazeta Si - Pas bllokimit të mjeteve lundruese pikërisht në kulmin e sezonit turistik, pronarë dhe administratorë të mjeteve lundruese dhe detare po protestojnë përpara policisë kufitare në Vlorë.

Në kulmin e sezonit turistik, për shkak të ngjarjes tragjike në Himarë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, asnjë mjet lundrues duke filluar që prej ditës së djeshme nuk do të dalë dot në det. Ky vendim, i konfirmuar më 5 gusht nga Drejtori i ri i drejtorisë së Kufirit të Vlorë, Eduart Sulejmani ka nxitur revoltën e qytetarëve të Vlorës të cilët kanë dalë sot përpara policisë kufitare.

Pronarët dhe administratorët thonë se mjetet dhe lundrimi po bllokohen pa arsye për shkak të një aksidenti. Ata kanë të rregullta dokumentet, paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore.

Siç tregojnë ata, dokumentet e tyre janë verifikuar e kanë dalë të rregullta dhe sërish ata nuk janë lejuar të lundrojnë.

Gjithashtu pronarët e mjeteve tregojnë se bllokimi i tyre në kulmin e sezonit turistik i penalizon, pasi kanë taksa dhe fatura për të paguar dhe nuk ia dalin dot t’i paguajnë, pasi janë kredimarrës dhe e kanë lakun në fyt nëse nuk punojnë.

Edhe Policia Kufitare e Sarandës e Ksamilit ka marrë vendimin për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve motorike. Ky vendim parashikon se asnjë mjet uji jetski dhe skaf nuk do të lejohet të qarkullojë në ujërat e 140 plazheve private dhe 5 plazheve publike në Sarandë dhe Ksamil.

Vendimi përjashton vetëm mjetet ujore të licencuara për udhëtime turistike, të cilat do të lejohen të dalin vetëm nga Porti dhe nga Limani dhe nuk do të lejohet hyrja dhe dalja e tyre nga territoret e plazheve apo mole të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe të cilat nuk janë të licencuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë