Ka ndodhur

Prokuroria nis hetimet për helmimin nga uji në Krujë: Presim analizat

Tre ditë pas helmimit masiv të banorëve të Krujës nga uji i pijshëm, Prokuroria e këtij rrethi ka nisur hetimet. Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Krujës thotë se ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.

Sipas prokurorisë, hetimet në lidhje me këtë ngjarje, “janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës”.

Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko-ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve.

Prokuroria thekson e janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërkohë, nga mëngjesi i të dielës deri këtë të mërkurë, ka shkuar në 500 numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Krujës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë