Drejtësia

Prokurorët me Covid 19, shtyhet sërish seanca për Saimir Tahirin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, së bashku me avokatin e tij u paraqitën këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por seanca gjyqësore që ishte parashikuar nuk u zhvillua.

Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e prokurorëve të çështjes në sallën e gjyqit, Dritan Prenci dhe Vladimir Mara, të cilët janë infektuar me Covid.

Seanca e radhës kundër Tahirit dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, do të zhvillohet në datën 31 janar ora 11:00.

Seanca e parë ishte njoftuar në datën 5 janar, por u shty për shkak të se gjyqtari Florian Kalaja kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen. Ai mori çështjen në dorë pas dorëheqjes së Daniela Shirkës një ditë para seancës.

Më 25 nëntor, dosja ndaj ish-ministrit dhe ish-zyrtarit, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Gjykata e Lartë mori vendimin më 28 shtator për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.

Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.

SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që u konvertua me 3.4 vite shërbim prove.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë