Ngjarje

Prokurorët Mara e Premçi kapin shansin e dytë në KLP për t’u bërë pjesë e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë ditën e hënë katër kandidatura për pozicionin e prokurorit në Prokurorinë e Posaçme, duke i dhënë udhë kështu procesit të plotësimit të kësaj strukture, që sipas Kushtetutës duhet të ketë të paktën 10 anëtarë, ndërkohë që aktualisht ka 8 të tillë dhe dy të komanduar.

Kandidatët janë Dorina Bejko, Dritan Premçi, Sotir Kllapi dhe Vladimir Mara. Në fakt, Premçi dhe Mara janë pjesë e SPAK-ut, si prokurorë të komanduar, që u gjet si zgjidhje e përkohshme nga ana e KLP-së për të plotësuar kushtin e 10 anëtarëve të SPAK.

Si Premçi, ashtu edhe Mara janë dy emra të njohur për dosjet e bujshme që kanë kaluar nëpër duar gjatë detyrës si prokurorë pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, si dosja “Tahiri”, apo dosja tjetër e përgjimeve për shitblerjen e votave. Për këto dosje që kanë kaluar nëpër duar dhe për faktin se janë përzgjedhur si të komanduar nga KLP, të dy këta emra konsiderohen si favoritë për t’u bërë pjesë e përhershme e SPAK.

Transferimin e tyre në SPAK e kërkoi kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja që argumentoi pranë KLP-së se gjatë procesit të marrjes në dorëzim të procedimeve penale të transferuara për kompetencë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda në SPAK është evidentuar se prokurorët Dritan Premçi dhe Vladimir Mara kanë transferuar një numër shumë të lartë procedimesh penale voluminoze e komplekse, në hetim e gjykim dhe me një numër të lartë të pandehurish.

“Prokurori Dritan Premçi ka transferuar 15 procedime penale në hetim me 92 persona nën hetim si dhe një kërkesë për ekzekutim letër-porosie të autoriteteve të huaja. Ndërkohë, ka në ndjekje në gjykim 13 çështje penale me 100 të pandehur si dhe dy kërkesa për konfiskim pasurie. Prokurori Vladimir Mara ka transferuar 22 procedime penale në hetim me 126 persona nën hetim me masë sigurimi personal. Ndërkohë ka në ndjekje 17 çështje në gjykim me 97 të pandehur dhe një kërkesë për konfiskim pasurie”, deklaronte Kraja.

Ai e argumentonte kërkesën e tij për caktimin përkohësisht të Marës dhe Premçit në SPAK me ngarkesën e madhe të dosjeve të transferuara aty dhe se dy prokurorët i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e kësaj prokurorie.

Megjithatë, gjatë një procesi pikëzimi të mëhershme, kur KLP miratoi listën me 15 prokurorët e përzgjedhur si kandidatë për të qenë pjesë e SPAK, si Vladimir Mara, ashtu edhe Dritan Premçi ishin skualifikuar për mosplotësim të kushteve të integritetit dhe aftësisë profesionale.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë