Irena Beqiraj

Progresi që kërkon hapa prapa


Umberto Eco në librin e tij “Kronika e një shoqërie të lëngshme” shkruan : “Progres nuk do të thotë domosdoshmërisht të ecësh përpara me gjithë fuqinë që ke. Progres do të thotë të bësh edhe hapa prapa".
Protesta e studentëve ka detyruar qeverinë të reflektojë. Kryeministri ka hedhur hapat e para prapa, duke pranuar të rishikojë reformën e arsimit të lartë, të ndërmarrë mandatin e tij të parë.
Studentët këmbëngulin që nuk ulemi të flasim e dialogojmë . Kërkesat tona janë të qarta!
Miq studentë! Ndryshimet ndodhin aty ku fillon dialogu dhe përfundon monologu. Monologu është më së shumti propagandë, e cila venitet shpejt. Sot kauza juaj ka nevojë për dialog të fortë, ku duhet të shkoni të përgatitur, të mirinformuar e jo me duar në xhepa.

Thërrisni për ndihmë profesorët që kanë merituar yll në vetingun tuaj popullor, të cilin e keni zhvilluar me aq elegancë dhe mençuri. Do të kenë çfarë t’ju mësojnë.
Me modesti them se ndryshimi në arsimin e lartë nuk mund të realizohet vetëm, duke artikuluar 8 kërkesat që ju keni rreshtuar, por duke dakordësuar me qeverinë dhe çështje të tjera, po aq të rëndësishme, duke përfshirë këtu afatet e realizimit të tyre.

Sa kohë ka qeveria në dispozicion për të plotësuar 8 kërkesat tuaja? Nuk besoj se studentët tanë janë aq naivë sa të thonë: Nesër i duam të plotësuara! Nëse do të ishte ky rasti, këto kërkesa ngjajnë me historinë e vjetër baba dua nuse, e dua nesër, dua të bëj djalë dhe djali të më sjellë po nesër bukën në arë.
Duhet dialog miq studentë ose të paktën përcaktim nga ana juaj të disa afateve të arsyeshme për plotësimin e secilës prej kërkesave tuaja!

Në cilin vit fiskal studentët mendojnë që qeveria duhet të parashikojë shpenzimet buxhetore për arsimin 5% e GDP në 2019, 2020 apo 2021? Sa për qind e këtij buxheti duhet të shkojë për financimin e tarifave të studimit? Sa për qind për kërkimin, zhvillimin dhe cilësinë e tij? Sot Europa harxhon 2% të GDP në Kërkim Zhvillim ku 2/3 -ta e këtyre shpenzimeve financohen nga biznesi. Çfarë masash duhet të ndërmarrim që biznesi të financojë kërkimin shkencor? Cili është propozimi juaj?
Duhet dialog miq studentë edhe për këtë çështje me qeverinë!

Cilat janë kushtet që një profesor duhet të plotësojë për të kaluar vetingun apo më e rëndësishmja, cilat organe do të kryejnë vetingun e profesorëve? A e dini miq studentë që nëse nuk vendosen mirë kushtet dhe kush kontrollon plotësimin e tyre, ekziston rreziku që pedagogët më të mirë sërish të përfundojnë jashtë universiteteve?

Duhet dialog miqtë e mi edhe këtu!


Po as nuk më thoni miq studentë sa nga ju kanë në krah një tjetër student që ka përfunduar shkollën e mesme me mesatare gjashtë? A mos duhet të fillojë këtu reforma dhe lufta për cilësi në arsimin e lartë? Biles është bërë “modë” që kushdo duhet të ketë një diplomë, sa edhe këngëtarët që u ka falur Zoti zë, kanë marrë nga një diplomë që nuk lidhet aspak me talentin e tyre.
Universiteti është vendi i shenjtë i dijes, i cili u takon atyre të rinjve që kanë kuptuar nevojën dhe kanë dëshirë për dije. Arsimi i lartë qartazi është përdorur si “qokë sociale”. Studimet e larta janë një rrugëtim dhe investim, i cili duhet të ndërmerret vetëm nga ata studentë, të cilët kanë kapacitet dhe impenjimin e nevojshëm për t’i përfunduar ato denjësisht.
Nëse të paaftët për t’ju përkushtuar dijes dhe shkencës pranohen në universitet, dëmi është i parikuperueshëm. Bari i keq e zë shumë shpejt vendin e bimës së mirë.
Të aftët do të vazhdojnë gjithë jetën e tyre, si në rininë e hershme, të vendosin në punë aftësinë edhe mundësinë që në çdo rast është e limituar. Ndërsa, i padituri me diplomë do vazhdojë të vendos në punë dëshirat që janë të palimituara dhe që i realizon pa drojë me parimin qëllimi justifikon mjetin. Të paaftët e të paditurit, që futen në universitet, përse të mos bëhen me master, po doktorë pse jo?
Cilësia fillon duke hequr dorë nga masiviteti. Fjala student duhet të konsiderohet titull që nuk mund t’i takojë kujtdo.
Universiteti është investim. Nëse një familje ka vendosur të investojë më kot paratë te një fëmijë që nuk e ka as dëshirë e as pasion shkollën, përse duhet ta bëjë këtë edhe shteti me paratë publike?
Një student duhet të ketë të drejtën dhe mundësinë të japë çdo provim dy herë pa pagesë shtesë, por kaq. Nuk mund të harxhohet asnjë lek shtesë nga paratë publike për të paguar një pedagog që një student të japë një provim 5 herë.
Reforma e arsimit të lartë duhet të forcojë së pari sitën e hyrjes në universitete, duke vazhduar me sitën se kush nga institucionet e arsimit të lartë do ta meritojë të quhet i tillë. Bindshëm them që ka shumë syresh që nuk e meritojnë një emër të tillë.
Reformat janë të vërteta kur krijojnë debat dhe më pas dialog. Reforma e arsimit të lartë e ka krijuar debatin, të fortë tanimë. Të gjithë jashtë edhe brenda universiteteve jemi bindur që kemi nevojë urgjente për një arsim ndryshe.

Mos e humbni këtë shans si fëmijët kokëfortë e tekanjoz, por përgatituni për t’u përballur me një dialog të gjatë e të fortë me qeverinë për t’i shërbyer kauzës suaj, e cila është e gjithë shoqërisë. Vetëm kështu ky dhjetor do të mund të quhet Dhjetor i dytë.


Copyright © Gazeta “Si”