Treg

Prodhuesit e birrës i kërkojnë qeverisë të heqë pullat fiskale….dhe akcizën

Nga Gazeta 'SI' - Prodhuesit e birrës i kanë kërkuar qeverisë të heqë dorë nga pullat fiskale.

Në një letër drejtuar ministrit Ervin Mete, Blendi Gonxhe dhe ministres Delina Ibrahimaj, shoqata e prodhuesve dhe tregtarëve të birrës, kërkon heqja e pullës fiskale nga birra, pasi nuk është e nevojshme dhe i rëndon ato.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës, Sajmir Laçej në letër argumenton se në të gjitha shtetet e botës nuk aplikohet pullë akcize për birrën, sepse krahasuar me produkte të tjera akcize, birra ka një ngarkesë të ulët taksimi të lidhur me përqindjen nën 5% alkool dhe 95% ujë. Sipas tij prodhimi i birrës në vend kryhet në kushte mbikëqyrje nën regjimin e Magazinave Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi nga doganat dhe deklarimet online dhe e bën të panevojshëm vendosjen e pullës fiskale.

“Të gjithë ne 10 mikrobirrari prodhojmë 3000 Hektolitra në vit dhe kur mendon që shumica e vendeve të botës e kanë taksën zero për sasitë deri 1000 Hektolitra në vit, mendoni sa larg keni shkuar duke na kërkuar edhe pulla, autorizime dhe garanci, kamera e akses on line. Kosova nuk i takson fare prodhuesit e vegjël deri në 1000 Hektolitra”, thuhet në letër.

 Pullat fiskale u rikthyen në vëmendjen e biznesit pasi qeveria njoftoi se nuk do ta japë me atë me koncesion, por një personi të autorizuar për prodhim. Koncesionari, “SICPA Security Solutions” që e kryente prej 10 vitesh këtë shërbim, po krijonte pakënaqësi tek bizneset, për shkak të kostove të larta.

Nga ana tjetër, shoqata e Mikrobirrarive kërkon dhe heqjen e akcizë, të paktën për prodhimin deri në 1.000 hektolitër, ashtu si në BE.

Kërkesa është rikthyer pas një viti kur qeveria vulosi unifikimin e akcizës dhe jo më ndarjen e saj në nivele sipas prodhimit. Prodhuesit e birrës e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por qeveria nuk u tërhoq.

Atëherë shoqatat e prodhuesve dhe tregtarëve të birrës argumentonin se kostot janë rritur deri në 40% dhe rrjedhimisht edhe çmimet, që do të çonte në një ulje të konsumit edhe në bare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë