Politike

Procedimet e protestuesve. Kush gënjen Rama apo policia?

Kryeministri Edi Rama shpërndau drejtpërdrejt përmes ERTV-së në Facebook fjalën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj në lidhje me procedimet penale të nisura nga Policia e Shtetit për studentë, pedagogë dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë.   

“Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakumtimësinë e atij lajmi, ose më saktë e kësaj ‘ndërhyrjeje të policisë’, e në momentin e parë që gjeta kohë për t’u marrë me këtë çështje i kërkova informacione të detajuara Policisë së Shtetit. Për befasinë time, rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka pasur asnjë procedim penal, ndaj askujt”, deklaroi Lleshaj nga Kuvendi.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/341509076631700/

Deklaratën e Lleshajt Kryeministri e përforcon përmes mbishkrimit që i vendos lidhjes së shpërndarë. Edhe ai i quan sajesë mediatike dhe gabimin e vetëm nga ana e Policisë së Shtetit e sheh vonesën në përgënjeshtrimin e lajmit të shpërndarë.

“Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj informon Kuvendin lidhur me procedimet penale të protestuesve, të cilat janë një sajesë mediatike e papërgënjeshtruar në kohë nga Policia e Shtetit”, shkruan Rama.   

Por, si ministri i Brendshëm, ashtu edhe Kryeministri ose nuk kontrollojnë më Policinë e Shtetit, ose nuk janë marrë vesh me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në faqen zyrtare të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikoi më 12 dhjetor, pra ditën e mërkurë njoftimin “sqarues” për mediat.

“Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Njoftimi i parë, deri në momentin që gazeta “Si” publikoi këtë lajm gjendej në linkun (https://www.asp.gov.al/index.php/17-shqip/lajmet-e-fundit/14769-njoftim-per-media-i-policise-se-shtetit-ne-lidhje-me-disa-procedime-per-bllokimin-e-disa-rrugeve-gjate-protestave), ndërsa njoftimi i dytë në linkun (https://www.asp.gov.al/index.php/17-shqip/lajmet-e-fundit/14770-informacion-mbi-ngjarjet-arrestimet-ndalimet-dhe-procedimet-ne-24-oret-e-fundit-12-dhjetor-2018).

Emrat e të proceduarve si pjesëmarrës në protestë nuk u bënë publikë, por përmes komunikatës së brendshme të Policisë së Shtetit mësohet se janë proceduar me dhjetra persona me akuzën si organizatorë, mes të cilëve edhe pedagogët Edmond Tupe dhe Luan Myrtaj, por edhe artisti Robert Aliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë