Lojëra me Dore

Probleme frymëmarrje dhe gjendje të fikti, “Australian Open” në rrezik

Kanë nisur ndeshjet kualifikuese të “Australian Open”, por problemet janë të mëdha. Ndeshje të ndërprera për disa minuta, ndërsa Jakupoviç është tërhequr pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje. Po ashtu, ndeshja e ekzibicionit e Sharapovës në “Kooyong Classic” është mbyllur në setin e dytë, pasi një mbledhësi topash i ra të fiktë.

Një situatë e krijuar nga ajri i ndotur nga zjarret masive në Australi, që kanë ndërprerë kualifikueset e “Australian Open” në Melburn Park. Por më pas kanë rifilluar, pavarësisht “ajrit të skaduar”. Është anuluar edhe ndeshja mes Maria Sharapovës dhe Laura Siegemund në Melburn, ku ish-numri 1 luftoi kundër të nxehtit dhe tymit. Rezultati ishte i barabartë 5-5 në setin e dytë. “Të dyja lojtaret po ndiejnë tymin dhe duhet ta ndërpresim ndeshjen”, - ka thënë arbitri.

Tenistja ruse, Maria Sharapova. Gazeta Si, 14 janar 2020

Sllovenja Dalila Jakupoviç po luante ndeshjen e turit të parë kualifikues ndaj zviceranes Stefani Voegele, kur ra në gjunjë, pasi pati vështirësi të mëdha në frymëmarrje. “Kisha vërtet frikë se do të më binte të fiktë”, - u shpreh Jakupoviç. “Nuk jam me asmë dhe nuk kam pasur kurrë probleme frymëmarrje. Më pëlqen i nxehti dhe pas fizioterapisë mendova se do të isha mirë, por loja zgjati dhe nuk po arrija më të merrja frymë lirisht”, - ka shtuar Jakupoviç, e cila ka deklaruar gjithashtu se nuk është e drejtë që organizatorët u kanë kërkuar lojtareve të zbresin në fushë në ato kushte: “U surprizova nga vendimi, mendova se nuk do të luanim sot”.

Edhe ish-gjysmëfinalistja e Uimbëlldonit, Euxhenie Bushard, ka kërkuar ndihmë mjekësore gjatë ndeshjes së saj kualifikuese. Më pas ajo mundi kinezen Xiaodi 4-6, 7-6 dhe 6-1. Gjatë ndeshjes mes Kavçiç dhe Klark, një mbledhësi topash i ra të fiktë dhe ka marrë ndihmë edhe nga vetë lojtarët. Është një situatë alarmante në fakt dhe organizatorët kanë bërë me dije se vendimet për programimin e ndeshjeve do të merren në bashkëpunim me stafet mjekësore dhe punonjësit e agjencisë për mbrojtjen e ambientit. Në Melburn dita nisi me një gjendje atmosferike shumë të rënduar nga tymi i shkaktuar nga zjarret. Ndotja e ajrit ka kaluar normën.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i mbajnë dritaret dhe dyert të mbyllura, madje të mbajnë brenda edhe kafshët shtëpiake. Nga ana tjetër, organizatorët e aktivitetit të rëndësishëm të tenisit janë shprehur se ka pak mundësi që “Australian Open” të shtyhet. Ata kanë saktësuar se cilësia e ajrit do të jetë gjithëmonë në monitorim dhe se arbitrat mund t’i ndërpresin ndeshjet për të mbrojtur shëndetin e sportistëve. Stërvitja në fusha të hapura është pezulluar. Shërbimi metorologjik australian ka bërë me dije se situata duhet të përmirësohet nga sot. Elina Svitolina, numri 5 në botë, ka shkruar në Tuiter: “Pse duhet të presim të ndodhë diçka e keqe, kur thuhet se ajri është i dëmshëm për shëndetin?!” Ka pasur edhe shumë reagime të tjera nga sportistët, të cilët janë kundër zhvillimit të aktivitetit në këto kushte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë