Editorial

Pritej të fliste Sovrani, por foli Ilir Meta

Protesta e opozitës të shtunën në mbrëmje pritej me interes në shumë aspekte. Nga protesta e fundit, deri të shtunën në mesditë janë thënë aq shumë gjëra dhe bërë aq shumë paralajmërime, sa e shtuna e 8 qershorit kishte ngjallur një shumësi ndjenjash, që nga kurioziteti te frika. 

E nisi Lulzim Basha të dielën teksa mbyllte protestën duke thënë se fjalët kanë mbaruar dhe në protestën e radhës do të fliste sovrani. Përgjimet e publikuara në Bild gjatë ditëve që pasuan nuk bënë tjetër veçse e trazuan edhe më shumë situatën. E ndërsa ditët rridhnin, dhe rritej edhe frika për dhunë, vjen të shtunën paralajmërimi më i fortë ndërkombëtar, ai amerikan që përmend me emër dhe mbiemër Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Pas molotovit amerikan mbi opozitën, vërshuan fishekzjarret dhe shashkat me radhë të ambasadave më të mëdha në vend, mes të cilave edhe ajo gjermane, si për të shuar çdo kujtim të vizitës së Bashës në Berlin, për përgjegjësi të atyre që do të dhunonin në protestë. Në këtë situatë, frika se opozita do të përsëriste skenat e luftës me policinë te Kryeministria dhe Kuvendi, u zëvëndësua nga kurioziteti se çfarë do të ndodhte, si do të fliste  dhe çfarë do të thoshte sovrani?

Kur te gjithë prisnin sovranin, pra popullin, kuriozitetin për këtë nuk arriti ta shuajë as Lulzim Basha e Monika Kryemadhi dhe as grupi me maska mes turmës që herë mban molotov në çanta, herë armë më të lehta si fishekzjarre e shashka. Kur pritej të fliste sovrani, Lulzim Basha apo Monika Kryemadhi, në fakt papritmas për shumë vetë, por jo për Edi Ramën, foli Ilir Meta, që pak përpara protestës së opozitës tha se anulonte zgjedhjet.

Në fakt, deklarata e Presidentit për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk ka asnjë vlerë ligjore. Jo sepse Presidenti nuk njihet dhe nuk ka fuqi në Shqipëri, por se Presidenti nuk ka asnjë fuqi kushtetuese për të shkuar përtej kësaj date. 

30 qershori është data e fundit që lejojnë afatet kushtetese për zhvillimin e zgjedhjeve. Edhe nëse Ilir Meta nuk do të kishte shpallur datë zgjedhjesh, zgjedhjet automatikisht do të mbaheshin në afaftin e fundit kushtetues, pikërisht në 30 qershor. Përpos kësaj, Shqipëria nuk mund të bëjë zgjedhje në sezon veror, por vetëm në vjeshtë, edhe kjo e sanksionuar në ligj. Problemi tjetër lidhet me faktin se pas 10 gushtit, asnjë kryetar Bashkie nuk mund të qëndrojë më në detyrë, prandaj edhe sipas këtyre afatave kushtetuese, nga kjo datë detyrën duhet ta marrin kryetarët e rinj të bashkive, që duhet të zgjidhen deri në 30 qershor.

Pra ligjërisht, me kod e me Kushtetutë, duket se Presidenti nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë më në zhvillimin e zgjedhjeve, prandaj, kurioziteti tashmë është zhvendosur nga opozita te Presidenti. Si do ta argumentojë ai këtë deklaratë të tij? Cila është baza ligjore dhe argumentat kushtetues?

Dhe pas kësaj, çfarë do të bëjë mazhoranca? Edi Rama nga Berati tha se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe se ky ishte një vendim i pritshëm për të. Por ndonëse nuk kurseu as Ilir Metën duke e rreshtuar tek tespijet e Sali Berishës bashkë me Monika Kryemadhin e Lulzim Bashën, që sipas Ramës pavarësisht gjithçkaje që bëjnë nuk do të bllokojnë as reformën në drejtësi, as zgjedhjet dhe as qeverinë, mazhoranca nuk ka asnjë ngut që të ndërmarrë ndonjë inisiativë shkarkimi të Presidentit. Kjo edhe për faktin se shkarkimin e një Presidenti duhet ta miratojë Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekzison ende. Përkundrazi, shumica do të qëndrojë e qetë në këtë drejtim, thjesht do të vazhdojë fushatën me 30 qershorin si ditë zgjedhjesh.

Ndaj më shumë se sa një betejë juridike, kjo është një luftë politike, në të cilën është rreshtuar zyrtarisht në llogore edhe një aktor i ri, Presidenti i Republikës. Pas ekzekutimit politik që SHBA i bëri opozitës, duke artikuluar jo vetëm dhe thjesht çështjen e dhunës dhe përgjegjësive të udhëheqësve të saj për të, por duke deklaruar se 30 qershori nuk lëviz, nuk preket dhe se të zgjedhurit do të njihen prej tyre, Ilir Meta me deklaratën për shfuqizimin e 30 qershorit ka shpëtuar Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin justifikimi për ditën e sovranit dhe nga këcënimi amerikan. Me deklaratën e tij, të detyruar pas qëndrimit të Palmer, Presidenti i ka dhënë një arsye opozitës që të festojë fitore në miting dhe një argument me të cilën të shfajësohet përpara mbështetësve të saj kur e shtuna ishte mbarsur si dita e sovranit. Basha tha se u dëgjua zëri i sovranit, por në fakt foli vetëm Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë