Vende dhe Udhetime

Priska e Madhe, një destinacion turistik për t’u zbuluar

Të vendosur në lindje të Tiranës, me reliev të butë kodrinoro-malor dhe të gjelbëruar, janë dy fshatra, të cilët është mirë t’i vizitoni. 

Priska e Madhe dhe Priska e Vogël përbëjnë dy vende me potencial të madh turistik, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për trashëgiminë kulturore dhe etnografike.

Liqeni i Bovillës dhe Brari janë dy nga ‘bukuritë’ që mund të soditësh nga Kodrat e Priskës.

Por çfarë ofron Priska e Madhe dhe çfarë mund të themi për historinë e tij?!

Një linjë e rregullt autobusi, që shërben çdo 45-60 minuta, të çon nga stacioni i fundit i linjës së Porcelanit, pranë Kinostudios, deri në qendrën e fshatit Priskë e Madhe, rreth 10-12 km larg, përgjatë rrugës së Parkut Kombëtar të Dajtit. Sigurisht, rruga tjetër nga Shkoza, mespërmes Surrelit, është më e shkurtër.

Rruga që të zbret për në qendër të Priskës, fshati më i madh i komunës së Dajtit, është e asfaltuar.

“Ajo mban emrin e 28-vjeçarit të këtij fshati, Pasha Hysen Hysa, dëshmorit të parë të batalionit “Dajti”, vrarë në korrik 1944 në luftimet pranë Shkozës.

Kjo rrugë piktoreske që zbret e ngjitet me kthesa të buta, degëzohet me rrugët e brendshme të fshatit, edhe ato të asfaltura, duke u shërbyer 25-30 makinave të banorëve, deri në dyert e shtëpive.

Kjo hapësirë e madhe dhe e bukur, me faqe kodrash të mbushura me ullinj, me bahçe dhe parcela toke të mbjella me perime, pemë frutore ose me vreshta dhe kullota, shtrihet nga lartësia 200 m deri në lartësinë 1560 m. Brenda saj dallohen shtëpitë e vjetra, të riparuara dhe ato të ndërtuara së fundmi. Gjatë rrugës ka edhe lokale të reja që vijojnë të ngrihen.”,- vëren Skënder Farka, i cili i ka kushtuar një studim të tërë fshatrave turistikë të Tiranës.

Priska është fshati më i madh i  Komunës: përveç gjerësisë, ai ka lartësinë nga kreshat e malit të Dajtit, pra ka karakter malor dhe kodrinor me bukuri të veçantë.

Banorët, me banesat dhe bahçat e tyre janë të përqendruar kryesisht në pjesën qendrore të fshatit.

Priska, vendqëndrim për banorë të zonave të thella

Emri i fshatit Priskë ka kuptimin e vendit të vjetër ose të lashtë (nga latinishtja). Ajo njihet shumë shekuj përpara si kufiri lindor i rrugës së ndarjes së krahinës së Tamadhesë ne atë të Bendës.

Priska, me qafën e saj të kalimit si porta e hyrje-daljeve për lëvizje dhe komunikim u bë një vendqëndrim i përhershëm jo i vogël për shumë familje të zonave të thella përreth, si: Mati, Dibra, Shkupi etj., përfshi edhe shkëmbimet martesore.

Në shënimet e viteve 1800-1850 lexohet se “djali i Ibrahim beut të Priskës u martua me Rukien nga malësisë e Matit me një garanci prej 40 mijë parash argjendi.”

“Në analet e shkruara të vitit 1431 Priska kishte 48 familje. Njëqind vjet më vonë ajo kishte 108 shtëpi (sa Farka, Preza, Tujani dhe Brari së bashku) dhe në vitin 1641 ishte i islamizuar.

Familje nga Priska kanë zbritur në Tiranë e gjetiu, duke marrë emrin e fshatit si mbiemër dhe duke lënë aty varret e të parëve të tyre.”, - vëren Skënder Farka për gazetën “Si”.

Hapësira më e madhe dhe qendrore e Priskës është e mbuluar me ullishta shumëvjeçare, ashtu si në fshatrat e tjerë të komunës, që janë në prodhim.

Banorët mbarështrojë lopë, dhi e dhen. Në toka kultivohen perime, pemë frutore dhe drithëra.

Shumë familje, duke përfituar nga pozicioni dhe rruga e Parkut Kombëtar kanë ngritur bizneset e tyre ose janë punësuar atje pranë të tjerëve, ndërkohë që ka edhe shumë nga ata, që janë larguar në emigracion.

Ndërtimet turistike dhe banorët

Pozicioni i favorshëm, i hapur dhe me bukuri piktoreske, me plot kodrina të vogla që krijojnë thyerje, me ujëmbledhës midis tyre i jep fshatit një frymëmarrje të veçantë, që nuk e gjen në fshatra të tjerë.

Kjo gjë ka bërë që Priska, e vendosur mbi Dajt, të tërheqë blerës të parcelave të tokës. Ata kanë ndërtuar shtëpi banimi dhe vila të bukura, biznese dhe hotele modernë.

Lagjia e parë, në hyrje të fshatit mban emrin e fisit të madh Lala, buzë rrugës ku dikur ka qenë hani i Hamza Lalës.

Në vendin më të lartë të lagjes ndodhet shtëpia e Riza Lalës,që në vitin 1940 përbëhej nga 40 frymë, e ndërtuar larg së vjetrës në vitin 1946.

Në fshat ka ende shtëpi të vjetra dykatëshe me gurë e dru, me stil malor, por sigurisht edhe shtëpi të reja.

Për banorët, shpesh jeta është e vështirë të përballohet dhe nuk kanë mundësi ekonomike.

“S’kemi mundësi t’i gëzohemi bukurisë së vendit, lëre pastaj për një kafe në Tiranë a për të lexuar. Nuk kisha menduar se pleqëria do të na vinte me kaq shumë halle.”,- shprehet një grua në moshë, e cila mezi përballon jetesën së bashku me bashkëshortin e saj.

Lagjia e dytë ka emrin Kolpalaj, emër verior dhe në të banojnë 62 familje. Ajo është një qendër e vogël, ku cooperativa kishte ngritur dy ndërtesa trekatëshe e ku sot po ngrihen shtëpi të reja: aty është shkolla apo dhe xhamia.

Lagjia e tretë quhet Lugjas. Ajo ka qenë qendra e minierës, ku ndodheshin zyrat, si dhe kantieri me fjetoret, ofiçinën, mensën dhe galerinë me vendet e ngarkim-shkarkimit të qymyrit etj.

Miniera filloi punë në vitin 1981 dhe punoi deri në vitin 2004, kur u mbyll për mosefektshmëri.

Të ardhurat nga miniera kanë qenë një burim i mirë fitimi për banorët atje, përkundër të ardhurave të ulëta në kooperativë. Sot, ndërtesat e minierës janë rrënuar, tjetërsuar dhe privatizuar.

“Përveç qymyrgurit, në lartësinë 900-1000 metra pranë qafës, aty ku kalonte pjesa malore e rrugës së vjetër janë zbuluar rezerva të mineralit të boksideve dhe më 1985 filloi puna me 20-25 punëtorë për provat pilot të përpunimit për eksport. Në vitin 1989 puna u ndërpre, duke lënë si gjurmë një burim uji të bollshëm, që përdoret për ujitje.”, vërejnë banorët.

Sot, atje është një vend shumë piktoresk, ku mund të çlodhesh dhe të pish kafe nën hijen e rrapave.

Në vitin 1966, në anën lindore pranë kodrave të shtufit, në lartësinë 780 metra janë gjetur rezerva të rërës silicate, e cila, pas një larjeje të mirë, përmbushte kushtet për përdorim në uzinat mekanike të porcelanit ose të qelqit.

Lagjia e katërt quhet Shporresh. Ajo fillon te ish-zyrat e minierës dhe shtrihet deri poshtë në drejtim të Tiranës.

Lagjia e pestë quhet Kokël, sepse, sipas një gojëdhëne, nga qafa e Priskës ka zbritur dikur një luftëtar i prerë në fyt nga shpata. Ai është parë me kokë të gjakosur, të varur dhe dukej si pa kokë. Luftëtari vdiq dhe u varros në një vend, që u quajt vend i mirë, ku banorët më vonë ndiznin qirinj dhe vendi mori emrin Kokli.

“Në vitin 1967, ditën kur ngrehina u rrafshua me traktor, ujqit, gjatë natës prenë më shumë se 100 dele të kooperativës. Kjo u kuptua si vepër e shenjtërisë së “varrit të mirë”.

Në vitin 1996, një tiranas investoi si dhuratë për lagjen dhe fshatin, ringritjen e “varrit të mirë”. - tregon Farka.

Kjo lagje është quajtur edhe “Karadak” (pushkë e vjetër turke), sepse aty në qafë, duke qenjë një pozicion dhe vendprite është luftuar për arsye nga më të ndryshmet.

Në Kokël gjendet edhe një triplik i bukur “monumental”: burimi i madh i ujit, që i ka damarët e tij pranë vendit, ku dikur ngrihej një kishë nga e cila sot s’ka asnjë gjurmë, rrapi i madh dhe stërshekullor me trungun e tij të hapur dhe një lapidar i lartë në përkujtim të periudhës së luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë