Sociale

Prishja e banesave te ‘5 Maji’, Avokati i Popullit: S’ka transparancë. Banorët s’dinë ku të shkojnë

Në një reagim në lidhje me shembjen e banesave në zonën e “5 Majit” në Tiranë, Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e tij për situatën e banorëve, të cilët ndihen të pasigurt për shkak të mungesës së transparencës.

Përmes një deklarate për mediat, Avokati i Popullit bën me dije se kanë qenë vetë banorët që e kanë njohur me situatën që ndodhte në lagjen e tyre, përsa i përket shembjes së banesave.

Avokati i Popullit, sqaron se banorët kanë pasur këtë të mërkurë datën për lirimin e banesave, por nuk dinë ku do të strehohen.

Në kuadër të kësaj situate, institucioni ka kërkuar transparencë nga bashkia për të mësuar me detaje në lidhje me këtë çështje, por duket se nuk ka marrë një përgjigje të qartë.

Avokati i Popullit shton se banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë ka munguar transparenca lidhur me aktet e prodhuara për shkëmbimin apo dhurimin e pronës.

Sipas AP, kjo procedurë është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila është pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.

“Nëpërmjet këtij ankimi banorët pretendojnë se janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar, por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre, por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre”, - thuhet në njoftimin e AP.

Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt.

Nga ana tjetër, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.

“Gjithashtu Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë