Nga Gazeta Si- Prindërit do mund të informohen në kohë reale në mënyrë të detajuar, kudo dhe kurdo mbi notat, mungesën, sjelljen dhe aktivitetet jashtëshkollore të fëmijëve të tyre nëpërmjet një aplikacioni që u prezantua ditën e enjte, që quhet SMIP.
Mjafton të shkarkoni aplikacionin SMIP në telefonin tuaj dhe ndiqni hapat për t’u regjistruar.
Hyrja në këtë platformë bëhet me kredencialet që përdoren në portalin e-Albania. Pasi klikohet butoni “vazhdo”, shfaqet emri i fëmijës apo fëmijëve përkatës. Në SMIP prindërit apo kujdestarët ligjorë mund të informohen në mënyrë të detajuar jo vetëm për notat, mungesat dhe sjelljen e fëmijëve të tyre, por edhe për aktivitetet jashtëshkollore dhe aktivitetet jashtë-kurrikulare.
Eksperti i arsimit, Fatmir Vejsiu thotë për Gazetasi.al se ky nuk është një aplikacion që do u shërbejë të gjithëve “sepse jo çdo familje ka internet apo mjete elektronike të domosdoshme për të marrë një shërbim të tillë.
Vejsiu tregon se ka pasur edhe më parë tentativa për të krijuar një aplikacion të tillë por kurrë nuk ka arritur në fazën finale të lancimit, edhe pse, sipas Vejsiut, “janë shpenzuar jo pak para”.
Një aplikacion i ngjashëm është krijuar prej shumë vitesh tashmë në botë, ku kudo ka pasur boshllëqe të mëdha.

Në Amerikë ka “një bollëk” programesh ku prindërit mund të gjurmojnë përparimin e përditshëm të një nxënësi.
Me emra si Edline, ParentConnect, Pinnacle Internet Vieëer dhe PowerSchool, këto aplikacione përdoret nga mijëra kopshte dhe shkolla deri në klasën e 12-të. Vetëm PowerSchool përdoret nga 10,100 shkolla në 49 shtete.
New York Times shkruan se shkollat i kanë përdorur më shumë këto aplikacione pasi kompjuterat filluan të jenë një pajisje e zakonshme në shtëpi.
Një sfidë që përmend New York Times është edhe pabarazia.
“Disa prindër nuk kanë akses në shërbimet e teknologjisë”, tha para disa vitesh Jonathan Epstein, profesor në Johns Hopkins.
Ai thotë se të thuash që kushdo mund të gjejë mënyrën për të përdorur një aplikacion të tillë është e padrejtë.
Në Shqipëri, sipas të dhënave nga Instat, mesatarisht 70.2 për qind e familjeve shpenzojnë për pajisje si Ipad, telefon apo kompjuter. Por ka qarqe si Berati ku vetëm 47.4 për qind e familjeve shpenzojnë për pajisje teknologjike.
“Do ketë problematika për prindërit që jetojnë në zona ku aksesi apo përdorimi i kësaj platforme është i vështirë”, pohon Marsida Simo, sociologe.
Sipas një ankete nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, 14 për qind e nxënësve në Shqipëri nuk kishin fare akses në internet për të ndjekur mësimin online në 2020.
Ndërkohë 36 për qind e fëmijëve kishin akses të reduktuar në internet.
Prindërit në Amerikë kanë pohuar se u është dashur shumë kohë që të mësohen për të përdorur më së miri aplikacionin, diçka që do jetë po njësoj edhe për një pjesë të prindërve në vendin tonë.
Gjithashtu një problem tjetër i përbashkët midis Amerikës dhe Shqipërisë është edhe ngarkesa për mësuesit kujdestar.
“Një anë negative e këtij aplikacioni është edhe ngarkesa për mësuesin kujdestar i cili ka një detyrë të shtuar krahas shumë detyrave të tjera që zhvillon. Ngarkesa përkthehet në ulje të produktivitetit”, thotë Simo.
Ndërkohë mësuesit në Amerikë kanë thënë se suksesi i programeve të tilla varet gjithashtu nga gatishmëria e mësuesve për t’i përditësuar ato me saktësi dhe për t’u kushtuar kohë mesazheve pasuese të prindërve.
Duke cituar studime që tregojnë se përfshirja e prindërve mund të ketë një efekt pozitiv në performancën akademike të fëmijës, në botë është vënë në dukje edhe fakti se një aplikacion i tillë ka dëme anësore siç është stresi i fëmijëve duke e ditur se janë të “mbikëqyrur” vazhdimisht në kohë reale nga prindërit si dhe rritja e tensioneve midis fëmijëve dhe prindërve.
Sociologe Simo thotë se si prind, ky aplikacion i lehtëson qasjen ndaj informacionit, pavarësisht se përpiqet të mbajë kontakte të vazhdueshme me mësuesen kujdestare për ecurinë dhe zhvillimet në shkollë.
Nga aspekti social do të rendiste po ashtu edhe këto përfitime:
Ndjekja e progresit: Platforma SMIP ndihmon prindërit të ndjekin progresin e fëmijës së tyre duke u ndalur tek arritjet dhe vështirësitë. Kjo me shumë mundësi do nxisë zhvillimin dhe përparimin e tyre në shkollë.
Lehtësim procedural dhe kohor: Prindërit do e kenë më lehtë të marrin informacionin pa qenë nevoja të presin takimin me prindër apo të shkojnë shpesh në shkollë.
Por Simo thekson se përpos notave dhe aktiviteteve, prindërit duhet të bëjnë kujdes më shumë me sjelljen, emocionet, zhvillimin psiko-social të fëmijës sesa të fokusohen te notat si shifra.
“Pavarësisht lehtësimit të platformës, mendoj se sërish kontakti me shkollën si institucion, stafin mësimor dhe mësuesen kujdestare duket realizuar edhe fizikisht për të qenë më në brendësi të ecurisë së fëmijës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.