Komuniteti LGBT në Ukrainë mbylli në qytetin e Odesës një aktivitet treditor që kulmoi me një paradë në bulevardin kryesor ditën e premte, ku nuk munguan përleshjet mes forcave të policisë dhe një grupi protestuesish që kundërshtonin këtë marshim.
Përleshjet dhe vetë parada kishin shkaktuar disa ndotje në bulevardin e ndërtuar buzë Detit të Zi, papastërti që u mblodhën nga punëtorët e bashkisë.
Por, punëtorët e bashkisë mund të pastronin vetëm ndotjen fizike, se për “ndotjen shpirtërore” mendoi një prift i Kishës Ortodokse Ukrainase. Prifti Oleg Makryak, që drejton një Departamentin e Përcjelljes së Mesazhit të Zotit në Dioqezën e Odesës doli në rrugë me ujë të bekuar.
Qëllimi ishte bekimi i rrugës, monumenteve dhe njerëzve për t’i mbrojtur ata nga “deviancat seksuale”.
“Po pastroj bulevardin dhe njerëzit nga devianca seksuale që parada e ndoti këto ditë”, u shpreh prifti.
Në të shkuarën, paradat e komunitetit të homoseksualëve janë ndalur me sukses nga autoritetet vendore dhe qendrore në Ukrainë, por këtë vit ajo u organizua, megjithëse mes tensioneve dhe antiprotestave me pankarta “Të gjithë bashkë për familjen” dhe ikona të Krishtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.