Ngjarje

Prezantohet “Pakti për Universitetin”, studentët vazhdojnë bojkotin

Në një ditë të zakonshme të gjithë studentët do të ishin duke vazhduar mësimin, ndërkohë që shumica e tyre vijojnë me bojkotin dhe ngujimin brenda godinave të fakulteteve. Ata gjatë gjithë kohës shprehen të vendosur se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Por ndryshe nga vjet, këtë janar studentët janë ndarë në dy grupe: ata që dëshirojnë të bëjnë mësim dhe ata që duan të vazhdojnë protestën në formën e zgjedhur së fundmi. Studentë të fakultetit Ekonomik kanë thënë për Gazetën Si se do të vazhdojnë bojkotin, pavarësisht se dekani i fakultetit ka deklaruar disa ditë më parë se mësimi vazhdon normalisht. Sipas tyre, pjesa më e madhe ka votuar për bojkot.

Gjithashtu, bojkoti i mësimit vazhdon në Fakultetin e Shkencave Sociale, Shkencave të Natyrës, Universiteti Bujqësor, Politeknik e Fakulteti i Gjeologji-Minierave, ndërsa në fakultetin e Mjekësisë dhe Drejtësisë mësimi po zhvillohet normalisht. Studentët të cilat janë të ngujuar prej ditësh janë të përqendruar në plotësimin e kërkesave dhe kërkojnë çdo ditë shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë. Në fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe atë të Inxhinierisë së Ndërtimit, studentët kanë kryer një votimi për të vendosur nëse do të vazhdojnë bojkotin ose jo. 62% e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe 58% e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit kanë vendosur për të vazhduar bojkotin deri në plotësimin e kërkesave dhe abrogimin e ligjit për arsimin e lartë. Ndërkohë, edhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe ato të “Aleksandër Xhuvanit” në Elbasan kanë vazhduar me bojkotin. Sipas tyre rruga e vetme, që do të plotësojë kërkesat dhe do sigurojë një arsim cilësor është bojkoti mësimor.
Ndërkohë që fakultetet janë të “heshtura” nga bojkoti, qeveria ka prezantuar për publikun “Paktin për Universitetin” i cili është një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet, bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet që ka secili pedagog apo student. Në këtë pakt përfshihen përgjigjet për tetë pikat e kërkuara nga studentët dhe zhvillimin e politikave dhe masat e ndërmarra në shërbim të përmirësimit të cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.

Pjesmarrës në prezantimin e Paktit për Universitetin

Së bashku me Ministren e Arsimit Besa Shahini në këtë dialog ishin të pranishëm dhe ministra të tjerë të qeverisë të cilët kanë deklaruar se do të marrin nën përgjegjësi fakultetet që lidheshin me fushën e tyre, për t’iu përgjigjur interesimit dhe çdo pyetjeje nga ana e studentëve.
"Kam marrë rishtaz stafetën për të drejtuar ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kemi parë problematikat e Universitetve. Problemi kryesor i thënë nga dekanët është sipërfaqja e vogël në raport me numrin e studenteve, gjë që ndikon në akreditimin. Diçka tjetër që ka nisur për të gjithë universitetet është punësimi në të gjitha platformat e studentëve ekselentë, kjo është pak a shumë kjo që kemi bërë", tha Ministrja e Infratsrukturë Belinda Balluku.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se përtej problematikave që Fakulteti i Drejtësisë ka që nga kurrikulat, por edhe shërbimet që duhet të kenë studentët, bashkëpunimi ka më shumë se një vit që ka nisur. "Aktualisht në ministri janë të punësuar 16 studentë të ekselencës", tha ajo. Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi deklaroi se që në ditët e para të janarit ka biseduar me gjithë stafin e Universitetit Bujqësor dhe është bërë një projekt partneriteti i cili është bazuar në 3 shtylla kryesore. "E para është punësimi i gjithë studentëve që mbarojnë universitetin, e dyta është financimi i universitetit nëpërmjet mekanizmave që do krijojmë në ministri dhe e treta është kërkimi shkencor", tha ai. Ndërsa Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ashtu si gjatë ditëve të kaluar iu bën thirrje studentëve që të vijojnë mësimin pasi do të pengojnë më pas punën për rikonstruksionin e konvikteve, që mendohet të nisë gjatë muajve të pushimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë