Presidenti Meta i ka kthyer qeverisë një tjeter ligj, atë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 9 dhe nenit 11 të këtij ligji, bazuar në argumentet e mëposhtme:
Sipas kreut të shtetit, Neni 9, i ligjit nr.94/2018, bie në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit” dhe krijon pasiguri juridike përsa i takon aplikimit të tij në praktikë. “Nisur nga përkufizimi i nenit 9, del qartazi se kemi të bëjmë me një dispozitë ligjore me efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale”, ku nuk përcaktohet qartë shtrirja kohore e saj.
Neni 9 i ligjit nr.94/2018, është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin fiskal preferencial me efekt prapaveprues.
Neni 9 krijon pabarazi fiskale në raport me individët, apo aksionerët të cilët gjatë gjithë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, duke zbatuar një normë tatimi prej 15%, ndërkohë që me nenin 9 të ligjit të miratuar, aksionerët të cilët nuk e kanë shpërndarë dividendin deri në 2017, tashmë do të përfitojnë një lehtësim fiskal duke aplikuar një tatim fitimi prej 8%”, argumenton Presidenti Meta. Sipas tij, Neni 9 krijon paqartësi dhe mundësi abuzivizmi ndaj bizneseve dhe aksionerëve për shkak se nuk përcakton saktësisht normën 8 % apo 15 %, si dhe mënyrën se si do të tatohet dividendi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 dhe më parë, në rast se subjekti tregtar nuk e respekton apo e tejkalon afatin e parashikuar në këtë nen për pagesën e tatimit mbi dividendin (30 shtator 2019) dhe është në kushtet kur nuk ka marrë një vendim për shpërndarjen e dividendit, për periudhën e diktuar nga ligji.
Po ashtu në argumentat e kreut të shtetit është edhe Neni 11. “Ai bie ndesh me parashikimet e nenit 84 pika 3 të Kushtetutës, për sa i takon afatit të hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 11, i ligjit nr. 94/2018 të miratuar dhe të paraqitur për dekretim dhe shpallje, parashikon se: “Ky ligj botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019”. Në këtë mënyrë kjo dispozitë bie ndesh me parashikimet e nenit 84 pika 3, të Kushtetutës që diktojnë detyrimin që ligji duhet të hyjë në fuqi jo më parë se 15 ditë nga botimi i tij në fletoren zyrtare. Referuar kërkesave të Kushtetutës, është objektivisht e pamundur që ligji nr. 94/2018, të hyjë në fuqi më datën 1 janar 2019″, thuhet në argumentat e Metës, i cili thekson se ky ligj përmbys sistemin dhe barazinë fiskale, duke e kthyer sistemin e taksimit progresiv në regresiv, sepse favorizon ndjeshëm shtresën më të pasur të shoqërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.