Lojëra me Dore

Presidenti Meta dekoron legjendat e Partizanit në basketboll

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ekipin e Partizanit në basketboll për meshkuj. Në një ceremoni të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të premte, Meta ka shpërndarë vlerësimet për sportistët e atij ekipi të Partizanit, që në vitin 1968 barazoi me kampionët e atëhershëm të Europës, Oransoda. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Meta u shpreh se ky vlerësim është në vazhdën e vendimeve të tij për të dekoruar njerëzit që ndër vite kanë bërë emër në sport, duke fituar tituj e rivalizuar në arenën ndërkombëtare.

Për legjendën e basketbollit shqiptar, Agim Fagu, kapiten i atij Partizani në vitin 1968-të Meta ka akorduar titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Për trajnerin e Astrit Greva, i cilësuar si një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave në basketbollin shqiptar, është akorduar titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Vlerësime janë dhëne edhe për ish-basketbollistët Dodan Përmeti, Guxim Bekteshi, Edmond Moja dhe Spartak Boshnjaku, që shkruan historinë e basketbollit shqiptar. Historia e ndeshjes Partizani Basket me ekipin italian Oransonda është futur në historinë e sportit shqiptar si një nga arritjet më të mëdha të basketbollit tonë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/333493880580415/

Oransonda vinte në Shqipëri në vitin 1968 me statusin e kampionit të Europës dhe në përbërje kishte disa nga basketbollistët më të mirë në botë. Por në sfidën e zhvilluar në Tiranë përballë Partizanit, ekipi italian do të ndalej në barazim 73-73.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë