Analize

Premtimi i 5 kandidatëve për kryeministër: Do mbrojmë Kosovën

Mes premtimeve, thirrjeve për të dalë në votime dhe flamujve kombëtarë e amerikane, partitë politike në Kosovë mbyllën mesnata e së premtes fushatës elektorale për zgjedhjet e parakoshme. Kandidatët për kryeministër i shfrytëzuan orët e fundit përpara heshtjes elektorale për t’u bërë thirrje për herë të fundit qytetarëve të votojnë për ta. Vjosa Osmani, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj kanë mbyllur në mesnatë fushatën elektorale duke premtuar mbrojtjen e interesave të Kosovës për t’ia lënë tanimë në dorë gjithçka votuesve.

Osmani zgjodhi ta mbante fjalimin e saj të fundit përpara mijëra qytetarëve në Gjilan. Në tubimin përmbyllës të fushatës së LDK-së, Osmani tha se Kosova ka vendosur ta lidhë fatin e vet politik me LDK-në. Sipas saj, të hënën të gjithë qytetarët e Kosovës do të zgjohen të lirë dhe të barabartë në shtetin që ata meritojnë. Ajo ka thënë se beteja e Kosovës është sot mes dorëzimit përfundimtar dhe shpëtimit përfundimtar.

“Së bashku do ta bëjmë shtetin tonë të lirë dhe të barabartë për të gjithë, një shtet të zhvilluar ekonomikisht, ku fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe të moshuarit e gjejnë perspektivën e tyre, në një shtet që është pjesë e familjes euroatlantike”, u shpreh Osmani.

Vjosa Osmnai në mbylljen e fushatës

Ajo i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në votime, duke iu drejtuar edhe atyre që votojnë për herë të parë

“Votoni që t’i jepni zë shpresës suaj dhe jo që zëri juaj të shuhet për katër vitet e ardhshme. Votoni për fëmijët tuaj! Votoni për fëmijët tanë!”, u shpreh kandidatja.

Ashtu si kundërshtarët e saj, edhe Osmani është shprehur e bindur se LDK-ja do të triumfojë dhe ka paralajmëruar festë të madhe më 6 tetor.

Ndërkohë, kryeministri në largim Ramush Haradinajt e mbylli fushatën elektorale në Gjakovë nga ku deklaroi se koalicioni i partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me PSD-në e Shpend Ahmetit është e vetmja siguri për Kosovën sovrane në tërësinë e saj territoriale. Duke dalë përpara publikut me plis në kokë, Haradinaj u ndal gjatë tek rreziku i ndarjes së Kosovës, duke premtuar “shpëtimin" e saj.

“Për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e saj, Kosova ka pyetur gjithnjë Gjakovën dhe i ka dalë mirë gjithmonë. Gjakova dhe Kosova i thonë jo nivelit të tretë të pushtetit, duke ruajtur tërësinë territoriale të shtetit, me taksë deri në njohje reciproke. Këtë herë Kosova e di se Gjakova ka vendosur për ruajtjen e kufijve. Një vend që kurrë nuk është nënshtruar, është dëshmi se vullneti i sovranit gjithmonë ngadhënjen dhe Gjakova po e di që sonte fituesin e 6 tetorit”, tha Haradinaj.

Ai ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij kundër heqjes së taksës dhe ka theksua se nuk mund të shkëmbejë territoret e Kosovës, duke thënë se për to, është bërë sakrificë e madhe.

Ramush Haradinaj në mbylljen e fushatës

Ai ka thënë se ka luftuar ai e shumë të tjerë, si dhe ka qëndruar në burg, për këtë Kosovë.
“Fëmijët e mi janë rritur pa më parë sepse unë kam ndenjur burgjeve. Pse t’i falë tani territoret e vendit?”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të kësaj fushate elektorale në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një tubim ku u panë shumë flamuj të Shqipërisë së Madhe, të Amerikës dhe Gjermanisë. Albin Kurti ka deklaruar se historia e Kosovës varet nga zgjedhjet e së dielës dhe nga qytetarët që do të dalin në votime.

“Më lejoni t’ju shërbej, vetëm këtë kërkesë e kam, asnjë tjetër. Nuk ka sfidë që mund të na frikësojë sepse në jemi bashkë. Të dielën, ju lutem, herët me mëngjes zgjohuni me diell sepse erdhi dita dhe votoni sikur historia varet prej jush. E ardhmja fillon me 6 tetor. Mos rrezikoni me partitë e tjera. Vetëvendosjen e keni të sigurt. Dera e sa ardhmes e ka numrin 126”, deklaroi kreu i Vtëvendosjes. “Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do t’i bashkoj njerëzit pa dallim, do t’ia shtrij dorën e bashkëpunimit opozitës së ardhshme vetëm për përparimin e shoqërisë dhe mbrojtjen e Republikës”.

Kurti ka falenderuar po ashtu edhe aktivistët e Vetëvendosjes, një pjesë e të cilëve janë edhe nga Shqipëria.

Albin Kurti në mbylljen e fushatës

“Teksa presim me padurim ditën e zgjedhjeve unë dëshiroj që të falënderoj aktivistët e Lëvizjes. Qindra qytetarë dhe aktivistë edhe nëpër shtetet perëndimore janë gurët dhe shtyllat e Lëvizjes. Ata duan ta shohin Kosovën të zhvilluar dhe të bukur” tha kryetari Albin Kurti.

Edhe PDK-ja e mbajti tubimin përmbyllës në Prishtinë ku kryetari Kadri Veseli premtoi sërish luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës është shprehur se ndërkohë që kundërshtarët politikë kanë garuar me mesazhe kundër tij dhe partisë, ai ka folur për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.

Kadri Veseli në mbylljen e fushatës

Veseli ka thënë se e di çka i duhet Kosovës sepse i ka dëgjuar problemet e qytetarëve.

“Kundërshtarët tanë garuan vetëm me një mesazh në këtë fushatë, atë kundër PDK-së. Por ne në vend se te flisnim kundër tyre, folëm për ato që kanë vërtet rëndësi për qytetarët, ne folëm për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Ne folëm për krijimin e shanseve të barabarta, ne folëm për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, ne folëm për përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, ne folëm për partneritetin që do të ndërtojmë me Amerikën”, ka thënë Veseli.

“Ne folëm për integrimin në NATO, në BE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, më e rëndësishmja e sqaruam se si përmes zgjidhjes së këtyre problemeve do ti mbajmë të rinjtë tanë këtu në vendin e tyre të çmuar në Kosovë, dhe do ta ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin, ne e bëjmë punën tonë, unë e mbaj fjalën time, kur premtoj do ta luftoj korrupsionin do ta bëj, kur premtoj ta zhvilloj ekonominë do ta bëj me njerëzit e mençur të Kosovës, kur unë premtoj e mbaj fjalën, kur PDK premton ajo e mban fjalën”, u shpreh ai.

Po iu them me vendosmëri se e di se çfarë i duhet Kosovës, e di çfarë duhet bërë për të riun dhe të moshuarin, për nxënësin, studentin. PDK gjithmonë ka ditur ta çoj Kosovën përpara edhe sot do të dimë si ta bëjmë” – tha Veseli.

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD e mbylli fushatën me një tubim në Prizren. Kreu i NISMA, Fatmir Limaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë për projektin e bashkimit të shtetit, pasi sipas tij pas zgjedhjeve të 6 tetorit kjo do të jetë zgjidhja më e mirë për shtetin.

“Angazhimi jonë nuk përfundon me 6 tetor. Me 6 tetor ne marrim përgjegjësi të reja të cilat duhet t’i kryejmë me dinjitet. Për ne detyrat fillojnë me 7 tetor me modesti ndaj atyre që na kanë votuar dhe duke qenë të vendosur në mbrojtje të interesave të Kosovës. Ne nuk do të lejojmë në asnjë moment të cënohet interesi i Kosovës”, u shpreh Limaj, duke shtuat se asnjë nga kandidatët për kryeministër nuk është më i përgatirur se ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë