Ana e errët

Prej vitesh kishin vdekur, por u hetuan si të gjallë për vjedhje energjie

Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës hetoi për katër vjet me radhë një çift bashkëshortësh për vjedhje energjie, ndonëse ata kishin ndërrruar jetë prej kohësh. Çifti i të ndjerëve kishte lënë një banesë në rrugën “Xhorxh Martini” aty ku gjatë prillit 2018 punonjës të grupit të kontrollit pranë OSHEE konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë. Dosja që ju vu në dispozicion Gazetasi.al nga një avokat shkruan se shtëpia rezultonte në pronësi të shtetases V.S.

“Konkretisht ka rezultuar se në kabllin koarcial që furnizonte një banesë të shembur e ndodhur pranë banesës së shtetases  V.S ishin lidhur dy tela të cilët kalonin në këtë kabëll dhe shkonin deri në oborrin e kësaj shtetaseje”, shkruan në procesverbalë specialistët e OSHEE .

Nga aktet e administruara çudirat e kësaj çështjeje zgjatën me vite derisa në një rast hetimi shkoi në gjykatë e cila urdhëroi prokurorinë të kryente veprime të thelluara hetimore për nenin 137 të Kodit Penal.  Megjithatë burimet i thanë Gazetasi.al se akuza thirri punonjësit për të dhënë shpjegime për kqyrjen dhe konstatimet e tyre. Ata deklarojnë se nuk kanë mundur të hyjnë brenda ambjenteve të oborrit pasi banesa kishte qenë e mbyllur.

“Nuk kishte njerëz brenda dhe nuk mundëm të verifikojmë nëse këto tela ishin të lidhur me panelin e shpërndarjes së energjisë, por vetëm kemi hedhur dyshimin se banesa në fjalë mund të furnizohej me energji të vjedhur”, dëshmon njëri prej tyre. Një tjetër pranon se për abonenten V.S nga ana e OSHEE ishte kryer me kohë ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të gjendjes debitore te kësaj abonenteje. Por teksa prokuroria pyeste këdo që kryente veprime nga përfaqësuesit e OSHEE mbi gjetjet e tyre për vjedhjen e energjisë, dhe teksa hetimet po kryheshin për pronarët e objektit, të dhënat kanë qenë befasuese për akuzën.

“Nga certifikatat e vdekjes të administruara në hetim ka rezultuar se shtetasja V.S  dhe bashkëshorti i saj F.S kanë ndërruar jetë respektivisht në vitin 2009 dhe në vitin 2013.

Pra çifti që u hetua për vjedhje energjie kishte vite që kishte ndërruar jetë, teksa u denoncuan dhe u hetuan mbas vdekjes nga prokuroria e Tiranës. Po kujt i përkiste banesa?

Sipas informacionit të oficerit të policisë gjyqësore me administrimin e banesës merret djali i çiftit shtetasi D.S.

Në këtë pikë prokuroria nuk dorëzohet dhe vihet në kërkim të djalit. Por ai nuk u gjet dhe ndaj, sipas burimeve të Gazetasi.al, prokuroria nisi ‘ gjuetinë” për gjetjen e dëshmitarëve. Njëri ndër ta është një i afërm i të riut që tregon se edhe ai kishte vite që nuk jeton në Shqipëri.

Në dosje dëshmitari përmend se “D.S ka shumë vite që është larguar jashtë shtetit për shkak të detyrimeve financiare që kishte ndaj personave të tretë. Për banesën e tyre është kujdesur ndonjëherë një tjetër shtetase, e afërme me ta e quajtur A.S. e cila është prej vitesh jashtë vendit për arsye shëndetësore. Ajo shtëpi është e braktisur, ka vite që nuk ka energji elektrike dhe në atë banesë nuk banon asnjë njeri”, dëshmon i afërmi i të akuzuarve që shpëtuan nga drejtësia shqiptare mbasi kanë ndërruar jetë.

Megjithatë duke këmbëngulur, prokuroria e Tiranës rezulton se urdhëroi kqyrje të shtëpisë dhe në një procesverbal thuhet se “shtëpia e V.S rezulton se është e mbyllur dhe në dukje e pabanuar. Në hyrjen e banesës vihet re një shtyllë betoni nga ku ka qenë i lidhur një kabëll , i cili shkon deri tek banesa, por që nuk është i lidhur me kabllin e energjisë elektrike”.

Nga ana tjetër gruaja nën emrin e të cilës ishte shtëpia në një shkresë të OSHEE të dorëzuar pranë akuzës së kryeqytetit, ishte përjashtuar si abonente për shkak të borxheve. Dhe kjo i ka ndodhur tre vjet mbas vdekjes.

“V.S rezulton debitore dhe është përjashtuar nga faturimi që në muajin maj 2016. Nga historiku i faturimit i nxjerrë nga sistemi rezulton se për abonenten nuk figuron energji elektrike e faturuar që nga muaji qershor 2014, përveç vlerës fikse prej 340 mijë lekë”.

Pas këtyre provave prokuroria bindet se të vdekurit nuk duhen hetuar më dhe se prej 2014 për abonentin ( që kishte vdekur) nuk kishte më harxhim energjie elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë