Politike

Prapaskenat / Nga beteja e Alibeajt për të ruajtur karrigen tek pazari i Berishës për të rimarrë pozitat në grupin e PD   

Në tryezën e punës të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka një letër të hapur prej dy ditësh.

Ajo është lista e deputetëve të PD-së që kanë firmosur për shkarkimin e tij si kreu i grupit me më shumë se gjysmën e votave të atyre që janë të regjistruar në Kuvend si deputetë të PD-së.

Nuk janë as deputetë të PD-së të huazuar tek grupet e tjera të opozitës e as ata të përjashtuar, Sali Berisha dhe katër deputetët Albana Vokshi, Edmond Spaho, Luan Baçi dhe Flamur Noka.

Sali Berisha nuk i kishte votat për të shkarkuar njeriun që po i bëhej pengesë në çdo hapësirë parlamentare.

Ai figuron i pavarur me firmën e Enkelejd Alibeajt (si kryetar grupi) duke i ndikuar edhe në pozitat e kohën e fjalës në Kuvend, vetëm tre minuta.

Për ta shkarkuar Alibeajn, Berishës i duheshin vota nga deputetë që rreshtohen në kahun tjetër apo edhe atyre të pa-pozicionuar siç është emri i Ervin Salianjit.

Këtu fillojnë edhe negociatat.

Ervin Salianji, si nënkryetar i grupit (me ‘bekimin’ e Berishës) inicioi lëvizjen për ta shkarkuar Alibeajn me kushtin që të merrte kryesimin.

Salianji gëzon mbështetje tek deputetë, që sot nuk janë të rreshtuar me Berishën. Por nuk ka qejfmbejtje ndaj tij as nga grupi i Berishës.

Në emisionin “Pa Censurë”, Ervin Salianji i tha gazetares Elona Meço se kjo ishte një përpjekje për të unifikuar grupin dhe PD para zgjedhjeve lokale, “pas shpërdorimit të rëndë të funksionit nga Alibeaj”.

Beteja e Salianjit në këtë rast është sa politike aq edhe personale nisur nga sesioni i fundit në Kuvend kur Enkelejd Alibeaj nuk firmosi për Ledio Brahon si kandidat i PD-së për Avokatin e Popullit.

Edi Rama kundërshtoi emrin e Brahos me argumentin se PS nuk mund të miratonte një avokat që mbronte interesat e PD-së duke lënë të kuptohet gjyqin e Salianjit në Apel ku Ledio Braho ka qenë një nga avokatët mbrojtës të tij.  

“Grupi përzgjodhi me votë të fshehtë Ledio Brahon si kandidat të vetëm dhe jo për të bërë atë që është një nga turpet më të mëdha që mund të ndodhin në opozitë, ku kryetari i grupit të PS negocioi me deputetë të veçantë për të përcaktuar mazhoranca preferencat brenda PD. Kjo është e papranueshme”, tha Salianji tek “Pa Censurë”.

Ndërkohë, burime për gazeta “Si” thanë se të martën u arrit kuorumi i mjaftueshëm i votave për të shkarkuar kreun e grupit, por ende pa u protokolluar në Kuvend.

Alibeaj në anën tjetër përjashton nxitimthi nga grupi katër deputetë të PD-së, Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, Agron Shehajn dhe Tritan Shehun, duke njoftuar zyrtarisht Kuvendin.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndare nga grupi “Alibeaj”, "4 deputetët nuk reflektuan për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit të një viti më parë".

Me përjashtimin e katër deputetëve, Enkelejd Alibeaj shtoi pakenaqesite por shmangu kuorumin për shkarkimin e tij.

Nga e marta e 10 janarit katër deputetët nuk llogariten zyrtarisht si firmëtarë të grupit të PD-së.

Beteja e Enkelejd Alibeajt për ruajtjen e karriges në krye të grupit në këtë rast duket aq e hapur sa edhe pazari i Sali Berishës për të rivendosur pozitat e tij në grupin e PD, pavarësisht rrugës që kanë ndjekur të dy.

Të tjerat pastaj janë thjesht justifikime... / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë