Lojëra me Dore

Prapaskena me basketbollin, vendimi që u kushtëzua nga futbolli i sallës

Basketbolli mori sot dritën jeshile nga Ministria e Shëndetësisë për t’iu rikthyer aktivitetit, kuptohet sipas protokollit anti-Covid-19? Po çfarë ndryshoi sot, që më në fund qeveria vendosi ta çlirojë basketbollin, sportin që e mbante “peng” bashkë me volejbollin prej gati një viti? Praktikisht dhe teorikisht, asgjë.

Nuk është se Ministria e Shëndetësisë, pas kërkesave të FSHB-së, kishte vendosur disa kushte, që basketbolli i përmbushi dhe u lejua të vazhdojë aktivitetin. As ndikimi politik, sikurse përflitet në ambientet sportive, nuk ka të bëjë në këtë rast. Fati i basketbollit dhe shumë shpejt edhe i volejbollit, është se më 31 janar, pra të dielën, Kombëtarja e futbollit të sallës do të presë Ukrainën në “Feti Borova”, ndeshje e vlefshme për eiminatoret e Europianit.

Kombëtarja e futbollit të sallës para ndeshjes me Kroacinë. Gazeta Si, 28 janar 2021

Futbolli i sallës, apo minifutbolli, në varësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, luhet në salla të mbyllura dhe Kombëtarja jonë nuk do të kishte mundësi të përfaqësohej në aktivitetin ndërkombëtar, në bazë të rregullave të mëparshme të qeverisë. Por, sipas burimeve të Gazeta Si, leja për ndeshjen me Ukrainën në parkun olimpik “Feti Borova” në kryeqytet, është marrë prej ditësh në kryeministri.

Në këtë situatë, për të mos dalë keq me sportet e tjera që zhvillohen në salla të mbyllura, qeveria miratoi sot zyrtarisht kërkesën e Federatës Shqiptare të Basketbollit për rifillimin e aktivitetit. Ndoshta ka ndikuar pak edhe letra që drejtori ekzekutiv i FIBA-s (Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit), Kamil Novak, i dërgoi qeverisë sonë për të lejuar aktivitetin, por realisht ishte ndeshja e Kombëtares së futbollit të sallës që kushtëzoi vendimin e sotëm.

Burime të Gazeta Si bëjnë të ditur gjithashtu se edhe volejbolli e ka marrë verbalisht miratimin për të rinisur ndeshjet, pritet që vendimi zyrtar të mbërrijë shumë shpejt në zyrat e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Lojërat me dorë do t’u kthehen kështu aktiviteteve kombëtare pas një pushimi të gjatë. Bllokimi i tyre nga shumë njerëz të sportit konsiderohej një vendim kapriçioz, duke ditur që në vendin tonë është lejuar edhe transporti urban. Për fat të mirë, është edhe futbolli i sallës, drejtuesit e të cilit kanë më shumë forcë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë