Mendim

Brukseli do t’i “shtypë kokën” qeverisë së re italiane

Nga Janis Varoufakis - Ndryshe nga Britania e Madhe, eksportet italiane tejkalojnë ndjeshëm importet dhe Qeveria në Romë shpenzon më pak se ajo në Londër, në krahasim me taksat që mbledhin. Pra, teorikisht Italia duhet të kishte një ekonomi të qëndrueshme e të shëndetshme, por praktikisht ka një ekonomi në stanjacion.

Është e vërtetë që Italia ka nevojë për reforma serioze dhe të thella për të dalë nga rrethi vicioz i dy dekadave të fundit, por ata që fajësojnë për këtë gjendje të vendit paaftësinë dhe korrupsionin duhet të shpjegojnë se përse Italia u zhvillua aq shpejt pas Luftës së Dytë Botërore. A kishte qeveri dhe politikanë më të zotë Italia në vitet ’70-’80 se sa sot? S’e besoj!

Arsyeja e vetme dhe e vërtetë e gjendjes së Italisë sot është anëtarësimi në një union monetar të ndërtuar e konceptuar keq që nga fillimi; Eurozona, ku ekonomia e saj nuk mund të marrë frymë dhe qeveritë gjermane vazhdimisht refuzojnë ta reformojnë.

Në 2015, grekët zgjodhën një qeveri progresive dhe me sytë nga Europa me mandatin e dhënë nga populli që të kërkonte një marrëveshje të re brenda Eurozonës. Për gjashtë muaj, nën drejtimin e qeverisë gjermane, Bashkimi Europian dhe Banka Qendrore Europiane na “shtypi kokat”. Pak muaj më vonë, Corriere Della Sera më drejton një pyetje, nëse mendoja se demokracia europiane ishte në rrezik?

“Greqia u dorëzua, por ishte demokracia europiane ajo që ishte plagosur rëndë nga kjo. Deri kur europianët të kuptojnë se ekonomitë e tyre drejtohen nga pseudo-teknokratë të pavotuar dhe që nuk japin llogari e vazhdojnë të kryejnë gafa njëra pas tjetrës, demokracia do të vazhdojë të mbesë pjellë e imagjinatës tonë”, iu përgjigja në atë kohë.

Pas kësaj, qeveria e Partisë Demokratike në Itali nisi të zbatojë njëra pas tjetrës reformat e kërkuara nga burokratët e pavotuar të Brukselit. Rezultati ishte katastrofik dhe në mars, votimi prodhoi një mazhorancë kundër sistemit me dy parti, që pavarësisht diferencave të thella që kanë, kanë një të përbashkët të madhe, dyshimin mbi euron dhe eurozonën.

Luigi Di Maio (majtas) dhe Matteo Salvini (djathtas) gjatë ceremonisë së betimit të qeverisë së re italiane

Luigi Di Maio i 5 Yjeve dhe Matteo Salvini i Lega Nord arritën që të formojnë një koalicion të pazakontë dhe të ngrenë qeverinë e re. Por, Presidenti Mattarella refuzoi emrin e propozuar për ministër të Financave, një emër që në të shkuarën kishte shprehur dyshimet mbi mënyrën sesi është ngritur dhe funksionon monedha e përbashkët.

Sot, asnjë ministër Financash i përgjegjshëm në Bashkimin Europian nuk do të linte pas dore hartimin e një plani për daljen e mundshme të vendit nga Eurozona. Madje, edhe vetë Ministria gjermane e Financave, Banka Qendrore Europiane dhe çdo bankë apo korporatë e kanë një plan të tillë rezervë. Çfarë kërkoi të tregonte Mattarella me këtë, që ministri italian i Financave nuk duhet as që ta mendojë një gjë të tillë?

Do ta kisha mbështetur Presidentin italian nëse do të kishte kundërshtuar Matteo Salvinin si ministër të Brendshëm, që mori këtë post me premtimin e dëbimit të gjysmëmilioni emigrantësh duke i vendosur nëpër autobusë, trena e anije, por jo, Mattarella refuzoi një emër që dyshonte tek euro dhe kërkonte reformimin e saj.

Autori është themelues i Lëvizjes për Demokraci në Europë dhe ish-ministër i Financave në Greqi

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë