Nga Gazeta Si- Universiteti Politeknik i Tiranës ka mbetur në klasë për mungesë transparence.
Në të dhënat e publikuara nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas monitorimit të transparencës proaktive të autoriteteve publike, Politekniku është universiteti i vetëm me nivel transparence të ulët, krahasuar me universitete të Tiranës dhe të rretheve.
Ndër informacionet që ky universitet nuk publikon janë raporte monitorimi/ auditimi, listën e shërbimeve që ofron, regjistri i parashikimit të prokurimit publik 2025 apo dhe regjistri i realizimit të prokurimit publik.
Më mirë renditen universitet e rretheve, si Fan Noli në Korçë, Eqrem Cabej në Gjirokastër, Aleksandër Moisiu në Durrës si dhe universitetet e Vlorës dhe Elbasanit.
Ndërkohë universitete të tjera të Tiranës si ai i Arteve, Sportet dhe mjekësia kanë një nivel transparence mesatare.
Transparenca proaktive do të thotë që institucionet publikojnë informacionin e tyre rregullisht dhe në mënyrë të përditësuar. Kjo u jep qytetarëve mundësinë të dinë çfarë bëjnë autoritetet publike dhe të ndjekin veprimtarinë e tyre.
I vetmi autoritet publik me transparencë minimale është Rezidenca Studentore Universitare 1.
Në fillim të vitit akademik, rezidenca studentore u përfshi në një debat me studentët të cilët kërkonin që të regjistroheshin në një nga godinat, duke thënë se nuk po lejohen të regjistrohen ndërkohë që drejtues të rezidencës thanë më vonë se kishte pasur fluks kërkesash për regjistrim.
Studentët kanë denoncuar abuzimet që sipas tyre bëhen me ndarjen e dhomave në konvikte, duke pretenduar se ka edhe nga ata persona që i kanë përfunduar studimet dhe nuk lirojnë ambientet. Sipas studentëve që denoncojnë rastin, personat që mbajnë “peng” dhomat në konvikte ofrojnë ryshfet ndaj punonjësve të rezidencës studentore.
Monitorimi për vitin 2025 ka përfshirë 367 autoritete publike qendrore dhe të varësisë, institucione të pavarura, njësi të vetëqeverisjes vendore, institucione të sistemit të drejtësisë, institucione të arsimit të lartë, urdhra profesionalë si dhe shoqëri tregtare ku shteti zotëron shumicën e aksioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje